Times Square - I Arrestuari U Identifikua Nga Përdorimi I Një Celulari
NJU JORK, 4 maj /ATSH-ANSA/ - Shahzad Faisal, pakistanezi me nënshtetësi amerikane i cili u arrestua në aeroportin JFK të Nju Jorkut pasi dyshohet se është përfshirë në atentatin e dështuar të Times Square, është zbuluar dhe identifikuar fal përdorimit të një telefoni celular.
"U identifikua nga numri i celularit që përdori për të kontaktuar me shitësin e automjetit", deklaroi një burim për të përditshmen "New York Times".
Faisal u arrestua dje rreth orës 23:30, me orën lokale, në aeroportin JFK të Nju Jorkut ndërsa po tentonte të largohej nga Shtetet e Bashkuara drejt Dubait dhe më pas në Pakistan.
Aktualisht autoritetet amerikane po kontrollojnë shtëpinë e tij në lagjen Bridgeport të Connecticut, për të gjetur ndonjë element që mund të jetë përdorur për atentatin e dështuar.
Faisal, që sipas New York Times është 30 vjeç, duhet të paraqitet sot para një gjykate federale në Manhatan për t'u akuzuar formalisht.
/e.v/