Tiranë, 04 maj, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u nis sot për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Samitin XIII Ekonomik Euro-Aziatik që do të zhvillohet në datat 5-7 maj në Stamboll.
Në këtë Samit të organizuar nga Fondacioni Marmara, do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh, ministra, akademikë dhe drejtues të dhomave të tregtisë dhe ekonomisë së vendeve nga Evropa Juglindore, nga rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Kaukazi, etj, njofton zyra e shtypit të Presidencës.
Temat e këtij takimit do të jenë, politikat euro-aziatike për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik, çështje të kapërcimit të krizës botërore ekonomike dhe financiare, politikat e zbatimit të projekteve të përbashkëta energjetike, rritja e prosperitetit për të gjithë vendet dhe e harmonisë mes popujve.
“Gjatë punimeve të Samitit XIII Ekonomik Euro-Aziatik, Presidenti i Republikës do të mbajë fjalën në seancën plenare të hapjes në emër të personaliteteve të huaja së bashku me Presidentin maqedonas Ivanov. Po ashtu, Presidenti Topi pritet të zhvillojë një vizitë në Bashkinë e Shishlit, ku kryebashkiaku Mustafa Sarugyl do i dorëzojë Kryetarit të Shtetit shqiptar çelësin e qytetit, gjatë një ceremonie të posaçme”, njofton Presidenca.
m.xh/NOA