English

Tropojë: Gjakmarrja Është Minimizuar, Por Jo Harruar

TROPOJË, 4 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Prej tre vitesh në rrethin e Tropojës edhe pse nuk është regjistruar asnjë rast i ri gjakmarrjeje, por vëmendja e institucioneve ndaj këtij fenomeni është e lartë, pasi vazhdojnë të jenë të ngujuara nga gjakmarrja 6 familje, mes tyre edhe dy fëmijë të moshës shkollore. "Po punojmë në bashkëpunim me shoqatën e pajtimit të gjaqeve dhe kemi rezultate, por ende kemi raste të ngujimit të familjeve për shkak të ngjarjeve të vjetra e tashmë të njohura", thotë nënprefekti Syl Smajlaj. Rënia e numrit të familjeve të ngujuara mbetet tregues i punës së bërë nga komuniteti, forcat e policisë e strukturat shtetërore dhe jo vetëm në Tropojë, por dhe në të 3 rrethet e tjera të qarkut, ku janë ende10 familje të ngujuara gjithsej, prej të cilave 3 në Has dhe një në Kukës. "Shqetësim në rrethin e Tropojës përbëjnë rastet e evidentuara me tendencë gjakmarrjeje ku kemi të evidentuar 118 familje", thotë Smajlaj. Sipas tij, me këto familje po punohet nga pushteti vendor me synim, pajtimin përfundimtar, pasi edhe shkaqet janë kryesisht grindje për pronësi, apo grindje të çastit, që mund të zgjidhen edhe përmes pajtimit./ch/
KOMENTE