Prishtinë, 05 maj, NOA - Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të martën pasdite është hapur ekspozita e artistit Zamir Mati, prej 20 vitesh është larguar nga Shqipëria dhe jeton në Paris.
Jetën e tij mes Tiranës dhe Parisit ka vendosur ta shfaq në një ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur nga data 4-14 maj 2010 në Galerinë e MKRS-së së Kosovës.
“ Kjo ekspozitë në Prishtinë, ishte një dëshirë e kahershme që të ekspozoj këtu, por edhe të shoh Kosovën”, ka thënë Mati. “ Nuk kam qenë asnjëherë, ndërsa ëndrra ka qenë e madhe. Për Kosovën kam realizuar ciklin me grafika për Lidhjen e Prizrenit dhe në vitin 1981”, ka thënë Mati, duke specifikuar se ajo ekspozitë qe titulluar “Shqipja".
Mediat kosovare shkruajnë se në hapje të ekspozitës, balonat e artistit Zamir Mati, me ngjyrën e flamurit të Kosovës së pavarur janë ngritur në qiell, vetëm pak minuta përpara fillimit të saj.
“ Arti i Kosovës ishte për ne një dritare e hapur në vitet 1970-1990, ku atë e ndiqnim me interes dhe them se kam pasur rastin të njoh artistët kosovarë si: Simon Shirokën, Engjëll Berishën, Shyqyri Nimanin, Agim Çavderbashën, Fatmir Krypën, Blerim Luzhën, Budim Berishën, Muhamet Shalën, Eshref Qahilin...”, ka thënë Mati, duke shtuar se tani Kosova është e pavarur, por e veçanta e kësaj është se arti që zhvillohet në të dy vendet është art shqiptar, duke e konsideruar si një bashkim i natyrshëm që jetojnë prej kohësh me shkëmbimet dhe respektin e ndërsjellë.
Zamir Mati krijon një pikturë figurative, e cila rrjedh nga përshtypjet e tij të hedhura në skica, vizatime, dhe piktura. “ Më ndihmon në realizimin e tyre vizatimi i kujdesshëm, ngjyrat dhe kompozimi i kërkuar”, ka thënë ai, i cili edhe ngjyrat i vlerëson të jenë një element i rëndësishëm, të zgjedhura me kujdes që formojnë atë që është e bukur.
Detajet e vizatuara me kujdes pasurojnë dhe nxjerrin në pah atë që është më kryesorja. I pëlqen që temën që zgjedh ta pasurojë e ta thellojë në një numër punimesh që krijojnë një cikël a seri, dhe në fakt edhe kështu janë punimet e tij si :Dardha e Korçës, Antiba, Korsika, Honfleur në Normandi, vizatimet nga dimri në Mont Blanc, Vjena, Budapesti, Cikli i Balonave, cikli nga vendet historike në Shqipëri, Parisi, etj.
Autori në Paris është anëtar i "Shtëpisë së Artistëve", dhe ka hapur ekspozita të ndryshme dhe njëkohësisht ka marrë pjesë në shumë takime ndërkombëtare për balonat, ku janë pjesë e punës së tij të ekspozuar, që do të na prezantohen edhe këtu në Prishtinë.
m.s/NOA