English

Berisha: Qeveria Shqiptare Do Të Bëjë Më Të Mirën Që Investitorët E Huaj Të Kenë Një Histori Suksesi

TIRANË, 5 Maj/ATSH/.-Kryeministri Sali Berisha theksoi të mërkurën në mbrëmje, në pritjen që dha për pjesëmarrësit në Forumin e Crans Montanës, i cili do të hapë punimet nesër në Tiranë, se qeveria shqiptare dhe të gjitha agjencitë e këtij vendi do të bëjnë më të mirën për të mbështetur të gjithë investitorët e huaj në projektet e tyre, në mënyrë që atë të kenë një histori suksesi në këtë vend. . Sikurse bëri të ditur zyra e shtypit pranë Qeverisë, Presidenti dhe themeluesi i këtij Forumi, zoti Jean Paul Carteron, duke marrë fjalën u shpreh se "Shqipëria po ecën përpara pozitivisht, pavarësisht vështirësive të krizës botërore dhe se liderët në fushën e biznesit po kthejnë gjithnjë e më tepër sytë nga ky vend për të projektuar investimet e tyre". Kryeministri Berisha shprehu vlerësime për këtë forum të rëndësishëm për jetën e biznesit, i cili tashmë është bërë një traditë e përvitshme në Shqipëri. "Ky forum i ka siguruar vendit tim një mbështetje shumë të rëndësishme, duke inkurajuar investitorët nga e gjithë Europa të konsiderojnë, të sjellin projektet e tyre në vendin tim", tha Kryeministri. Kreu i Ekzekutivit shqiptar vuri në dukje se "forumi i këtij viti është i një rëndësie të dyfishtë sepse është një forum që mbahet në një kohë jo shumë të lehtë. Por, unë mendoj se në këtë krizë financiare të përgjithshme, më e mira e të mirave është të luftojmë për një klimë më të favorshme biznesi". Kryeministri Berisha theksoi se, pavarësisht krizës botërore financiare dhe ekonomike, Shqipëria ia doli të mbante një rritje ekonomike, më të lartën në Europë. "Pavarësisht shqetësimeve serioze që ekzistojnë sot në zonën euro, ekonomia jonë përfundimisht është një ekonomi e eurizuar, nuk jemi në zonën euro, por jemi të eurizuar. Stabiliteti ynë makroekonomik u mbajt mirë, monedha jonë rezistoi më mirë se çdo monedhë tjetër në rajon. Ka lajme shumë inkurajuese rreth tremujorit të parë të këtij viti. Por, prezenca juaj këtu, më bën më shumë optimist, e bën Shqipërinë shumë më të sigurt, më entuziaste rreth ekonomisë së saj", tha Kryeministri Berisha./a.m/
KOMENTE