English

Cënimi I Medias Publike, Cënon Të Drejtat Dhe Liritë Demokratike Në Vend

NË VEND TIRANË, 5 Maj /ATSH-Mira Shkurta/. - Cënimi i medias publike është një akt i rëndë që nuk nderon asnjë lider dhe asnjë forcë politike, që ka pranuar dhe është angazhuar publikisht dhe ligjërisht të mbrojë të drejtat dhe vlerat demokratike në një vend, u shpreh sot në një prononcim për ATSH-në, drejtori i Drejtorisë së Aktualitetit në RTSH, Artur Kopani. Lidhur me icidentin e datës 4 maj 2010, kur Partia Socialiste ndaloi dhunshëm RTSH-në që të mos mbulojë zhvillimet e grevës së urisë së deputetëve të kësaj partie, Kopani tha se "është e papranueshme kur drejtues të një force të madhe politike, siç është Partia Socialiste, e cila pretendon të vijë në pushtet, dhe lideri i saj, i cili presupozohet të jetë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë, të krijojë raporte të tilla me një media publike, siç është RTSH". Duke e konsideruar sjelljen e Z.Rama si një incident në një moment nervozizmi, Kopani u shpreh se "RTSH gjatë gjithë kohës, si një institucion në shërbim të publikut, ka kërkuar të mbetet jashtë axhendës së forcave politike të caktuara dhe në marrëdhëniet me PS-në, dhe me institucionet e tjera ka qenë serioze". Ai përjashtoi çdo rast çensurimi të çdo aktiviteti të PS-së, dhe sipas tij, në të shumtën e rasteve, ato janë transmetuar ashtu sikurse janë dërguar nga zyra e shtypit të PS-së. "Ne jemi një media publike në interes të qytetarëve dhe ata që e drejtojnë këtë institucion, janë zgjedhur nga Parlamenti, ku PS ka thuajse gjysëm e deputetëve dhe për çdo pretendim që PS mund të ketë, duhet t'i drejtohen ligjit dhe institucioneve", tha Kopani, i cili kërkoi nga z. Rama që të zbusë gjuhën kundrejt TVSH, duke garantuar se do të ruajmë dialogun dhe bashkëpunimin e deritanishëm. Në datën 4 maj 2010, Partia Socialiste ndaloi përdhunshëm Radio Televizionin Shqiptar që të mbulojë zhvillimet e grevës së urisë që deputetë dhe mbeshtetës të Partisë Socialiste po zhvillojnë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ndërkohë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar që greva e urisë të mos mbulohet nga RTSH, duke kërcënuar se nuk mban përgjegjësi për çfarë mund t'u ndodhë gazetarëve dhe operatorëve të Radio Televizionit Shqiptar. Bllokimi i gazetarëve të RTSH për të mbuluar aktivitetet e PS ka filluar paraditen e datës 4 Maj, kur gazetari i Drejtorisë së Aktualitetit në RTSH, Arsen Hoxha, rreth orës 10.45 të kësaj date, ishte i pranishëm në ambientet e grevës, së bashku me kolegët e tij nga mediat e tjera, për të marrë informacione mbi gjendjen shëndetësore të grevisteve. Zëdhënësja e PS-së, Armela Ymeraj, i ka kërkuar që të largohet, pasi TVSH nuk do të lejohet të pasqyrojë grevën. Pas këmbënguljes së gazetarit Hoxha për të kryer detyrën e tij, zëdhënësja e Partisë Socialiste ka udhëruar badigardët që të largojnë me forcë gazetarin Hoxha. Pas këtij incidenti, drejtori i Drejtorisë së Aktualitetit të RTSH, Artur Kopani, ka këmbëngulur për të komunikuar me zëdhënësen e Partisë Socialiste, Armela Ymeraj, me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, me këshilltarin e zotit Rama, Endri Fuga. Në orën 13.07, zoti Rama ka komunikuar në telefon me drejtorin e Drejtorisë së Aktualitetit, Artuar Kopani dhe i ka kërkuar të largojë gazetarët dhe kameramanët e RTSH nga sheshi ku po zhvillohet greva e urisë. Rama ka kërcënuar se në rast se drejtori i Lajmeve nuk bindet, atëherë ai nuk do të mbante përgjegjësi për gjithcka që njerëzit e tij janë të gatshëm të bëjnë ndaj gazetarëve./s.s./
KOMENTE