English

Deklarata e plotë e grevistëve për ndërkombëtarët dhe mediat: Uri dhe protesta

Tiranë, 5 Maj, 2010 - Komiteti i Grevës së Urisë të Partisë Socialiste ka bërë publik qëndrimin e fundit, që ka të bëjë me hyrjen në grevë pa afat dhe nisjen e protestave në të gjithë vendin.

Letër e nënshkruar nga 22 deputetë dhe rreth 200 protestues u është drejtuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe medias. Më poshtë botojmë të plotë letrën e grevistëve.

“Komiteti i Grevës së Urisë. Letër drejtuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe medias

Të dashur miq!

Ne, 22 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë së bashku me 200 bashkëqytetarë, të shqetësuar për fatin e demokracisë në vendin tonë, kemi vendosur të angazhohemi në formën më ekstreme të protestës demokratike, duke hyrë në grevë urie në emër të themelit të çdo demokracie : zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kërkesa jonë është një kërkesë e thjeshtë dhe demokratike: hetim parlamentar i plotë dhe i detajuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, që përfshin hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore që gjenden brenda kutive.

Kjo kërkesë e jona nuk ka për synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por ka qëllimin e pastër që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulime si ato të zgjedhjeve të fundit të mos përsëriten më.

Për plot nëntë muaj, ne jemi përpjekur të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese për transparencë, por përpjekjet tona kanë ndeshur murin e arrogancës dhe kokëfortësisë të një qeverie, veprimet e të cilës nuk njohin më kornizat e vendosura nga Kushtetuta e Republikës.

Është pikërisht kjo qeveri që nuk pati kurajë për të reaguar ndaj mbështetjes të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për kauzën tonë. Plot 200 mijë shqiptarë protestuan në Tiranë në emër të transparencës së votës së tyre, por sërish, qeveria nuk pati vesh për të dëgjuar kërkesat e tyre demokratike.

Kryeministri Berisha flet për një vendim gjykate që pengon transparencën, por përgjatë dhjetë muajve të fundit ai nuk ka arritur kurrë ta bëjë publik këtë vendim për arsyen e thjeshtë se ky vendim nuk ekziston.

Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se kjo gënjeshtër e Sali Berishës, e ndërtuar në formën e një alibie për të penguar transparencën e zgjedhjeve, fatkeqësisht është besuar edhe nga një pjesë e miqve dhe partnerëve të Shqipërisë.

Përballë këtij mohimi të jashtëligjshëm dhe antikushtetues të së drejtës tonë për transparencë, të vetëdijshëm për rëndësinë e kauzës tonë për fatin e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në vend, ne kemi vendosur ta përshkallëzojmë protestën tonë duke hyrë në një grevë urie pa afat, që do të shoqërohet nga protesta në mbrojtje të kësaj kauze në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë.

Ky vendim nuk ishte i lehtë për tu marrë dhe në të njëjtën kohë ne jemi të vetëdijshëm për pasojat që ky vendim mbart. Por, sikundër secili prej jush në vendin tuaj, ne nuk mund të sakrifikojmë më demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në vendin tonë.

Ajo çka ne kërkojmë është një standard që në vendet tuaja konsiderohet normal: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asgjë më shumë. Asgjë më pak".

m.xh/NOA
KOMENTE