English

Dermatologët: Melanoma Në Fazën E Hershme Mund Të Parandalohet

ditën shqiptare të Melanomës, e organizuar në kuadër të Euromelanomës - TIRANË, 5 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Melanoma, sëmundje e lëkurës, e kapur në fazën e hershme të saj, mund të parandalohet dhe të shërohet plotësisht, thanë mjekët dermatologë sot, në Ditën shqiptare të Melanomës, në kuadër të Euromelanomës. Gjatë një seminari të mbajtur në Hotel Tirana International, mjekët përcollën mesazhin për të gjithë qytetarët që të drejtohen tek mjeku specialist, nëse shohin se një nishan ka ndryshuar ngjyrën, formën apo madhësine. Ndërkohë, të gjithë personat që kanë në amnezën familjare melanomën, duhet të bëjnë konsultë me specialistët. Ermira Vasili, shefe e Shërbimit të Dermatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, këshillon qytetarët, sidomos me afrimin e sezonit veror, të bëjnë kujdes ndaj djegieve nga dielli, pasi është ndër faktorët e zhvillimit të melanomës, por edhe të solarëve. Sipas saj, në Shqipëri ende nuk ka të dhëna epidemiologjike lidhur me incidencën e melanomës, megjithatë, vizitat e përditshme në klinikën pranë QSUT, por dhe ato ambulatore, flasin për rritje të rasteve. Por, sipas Vasilit, pozitiv është fakti se janë në rritje rastet e melanomës sipërfaqësore që janë të shërueshme në trajtim me kirurgji. "Qëllimi i këtij seminari ishte pikërisht edukimi dhe sensibilizimi i popullatës, si dhe personelit shëndetësor, për të njohur melanonën dhe masat për parandalimin e saj", tha për ATSH-në Vasili, duke shtuar se "janë dy burime ku drejtohet seminari dhe shpresojmë të na vlejë, në mënyrë që të parandalojmë këtë sëmundje, sidomos melanomën invazive, apo melanomën e thëllë që do shumë për t'u shëruar". Në Europë, vitet e fundit numërohen mbi 48 mijë raste të reja me melanomë. Të dhënat tregojnë se në Amerikë në 2007, ishin rreth 60 mijë raste të reja dhe në 2009 rreth 68 mijë të tilla. /a.ke/
KOMENTE