Tiranë, 5 maj, NOA - I premtoi një jetë të lumtur përtej detit, duke e bërë të besonte se do të bëhej kunata e tij pasi ta martonte me të vëllanë në Itali.
Deri këtu, gjithçka dukej e bukur për vajzën me inicialet J.A,, derisa ka prekur tokën fqinje ku jo vetëm që nuk e priste ndonjë martesë, por do të ishte fillimi i një tmerri pa fund për të, mes dhunimesh fizike dhe detyrimi për të ushtruar prostitucion rrugëve të Torinos nga dy vëllezërit që i premtuan lumturinë.
Gjithçka ndodhi 14 vjet më parë, ndërsa vajza e lartpërmendur për tre vjet me radhë punoi si prostitutë, ndërsa tutori i saj, pikërisht ai që i kishte premtuar martesën me të vëllanë, u shpall në kërkim ndërkombëtar për vite të tëra dhe vetëm sot, do të mundësohej ekstradimi i tij në Shqipëri nga Milano e Italisë.
Fjala është për 42-vjeçarin Ferdinand Etemaj nga Berati, ndaj të cilit gjykata ka vendosur një masë dënimi për 9 vjet burg me anë të një vendimi të vitit 2004, pas denoncimit të vajzës që u trafikua për qëllime prostitucioni.
Ndaj tij rëndon vepra penale e “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese“, parashikuar nga neni 114/a , pika 1 dhe 4 të Kodit Penal, ndërsa sot ai iu dorëzua autoriteteve shqiptare nga ato italiane falë bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Romën”.
n.e/NOA