Gjermani - Ndihma Për Greqinë: Një Shpejtësi Më E Madhe Do Të Ishte E Paefektshme
BERLIn, 5 maj /ATSH-AFP/ - Kancelarja gjermane Angela Merkel u mbrojt sot përpara deputetëve të Bundestagut (njëra nga Dhomat e parlamentit gjerman) lidhur me bllokimin e ndihmës për Greqinë, duke shpjeguar se një shpejtësi më e madhe do të ishte e paefektshme.
"Nëse Gjermania do ta kishte miratuar shumë më parë ndihmën për Greqinë, kjo do të ishte e paefektshme", deklaroi kancelarja konservatore.
"Një evropian i mirë nuk është ai që ndihmon shpejt, por ai që respekton traktatet dhe të drejtën evropiane dhe që jep ndihmesën e tij që stabiliteti i zonës euro të mos dëmtohet", shtoi ajo.
Gjermania priti që t'ia kërkonin me ngulm përpara se të binte dakord për të ndihmuar Athinën. Ekonomia më e madhe në Evropë do t'i japë këtë vit Greqisë 8,4 miliardë euro në kuadrin e programit të përbashkët të ndihmës së Bashkimit Evropian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, një ndihmë që opinioni i saj publik e kundërshtoi gjerësisht.
Ligji i nevojshëm për zhbllokimin e këtyre fondeve u miratua dje në këshillin e ministrave dhe pritet të miratohet këtë javë nga Bundestagu dhe Bundesrati, Dhoma e dytë e Parlamentit gjerman.
/I.Pu.