English

Gjymishka: Doganat Në Katër Muaj Arkëtuan 34 Miliardë Lekë

TIRANE, 5 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Administrata Doganore arkëtoi ne 4 mujorin e parë të këtij viti 34 miliardë lekë, ose 3.5 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2009. "Administrata Doganore në 4-mujorin e parë arkëtoi 34 miliardë lekë, nga 30.5 miliardë lekë të arkëtuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 12%", deklaroi sot gjatë një konference për shtyp Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka. Sipas tij, eksportet shqiptare, gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti kanë një rritje të konsiderueshme në sasi e vlerë krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2009. "Gjatë kësaj periudhe u eksportuan 557 mijë ton mallra, nga 339 mijë ton të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 218 mijë ton, ose 64% më shumë", tha Gjymishka. Ai bëri të ditur se si vlerë, eksportet llogariten gjatë katër muajve të parë të vitit në 20 miliardë lekë, me një rritje prej 11 miliardë lekësh, ose 129 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku eksportet arritën vlerën e 9 miliardë lekëve. Kreu i doganave shqiptare theksoi se rieksportet nga përpunimi aktiv sivjet, në katër muajt e parë arritën 81 mijë ton, nga 31 mijë ton të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit 2009, ose me nje rritje prej 161 % më shumë. Ndërsa në vlerë, rieksportet nga përpunimi aktiv llogariten në 28 miliardë lekë, me një rritje prej 7 miliardë leke ose 31% më shumë, krahasuar me periudhën janar-prill 2009./s.s./
KOMENTE