Grupi Çalik Holding I Ofron Prefiksin Ndërkombëtar Kosovës
TIRANE 5 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Albtelecom, Eagle Mobile dhe gjithë Grupi Çalik Holding, janë të gatshëm t'i ofrojnë Kosovës përdorimin e prefiksit ndërkombëtar të Shqipërisë, si dhe mundësimin e kalimit të komunikimit të qytetarëve kosovarë, nëpërmjet infrastrukturës së këtij grupi në Shqipëri.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë së telefonisë celulare "Eagle Mobile", Ali Taskin, ka deklaruar këtë javë në Kosovë se grupi Calik Holding është i gatshëm t'i ofrojë qeverisë së Kosovës kodin ndërkombëtar, nëse Serbia vendos t'i bllokojë kodin Kosovës.
"Ne kemi mundësi dhe kapacitete që shumë shpejt Kosovën t'a lidhim me kabllo optike, në mënyrë që të vazhdojë komunikimin me botën", ka deklaruar Taskin.
Burime zyrtare të kompanisë "Eagle Mobile" bënë të ditur sot për ATSH-në se "Calik Holding nëpëmjet një letre dërguar Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka kërkuar pajisjen me leje për shtrimin e fibrave optike, në anë të rrugës nacionale për të lidhur dy vendet më mirë, si nga ana e telefonisë edhe e internetit".
Aktualisht, Albtelecom pjesë e grupit "Çalik Holding" e ofron shërbimin e kalimit të komunikimit të qytetarëve kosovarë dhe është shprehur gati për shtimin e këtij kapaciteti. /a.ke/