Italia Dhe Shqipëria, Plan Të Përbashkët Veprimi Në Projekte Konkrete Mjedisore
Në Konferencën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillimin e Qendrueshëm -
TIRANË, 5 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, i parë në aspektin mjedisor, ishte në qendër të takimit të sotëm të mbajtur në Hotel Tirana International, në kuadër të iniciativës "Italia e Shqipëria 2010: dy Popuj, nje Det, nje Miqesi", e organizuar nga Ambasada Italiane në Tirane dhe Ministria Italiane e Mjedisit, Tokes dhe Detit.
"Ne ramë dakort për një sfidë të përbashkët me palën italiane për të ndërtuar një plan veprimi, i cili do të bazohet në projekte konkrete, por dhe koordimi të aktorëve rajonalë, sepse çështjet e mjedisit nuk janë thjesht kombëtare, por rajonale dhe globale", tha për ATSH-në ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu.
Sipas tij, "në këtë aspekt një lidership si Italia do të ishte jashtëzakonisht i vlefshëm jo vetëm për ne, por dhe për rajonin ku jetojmë, por edhe nga pikëpamja e kostos do të ishte shumë efektive që të shikonim funksionimin si një treg i përbashkët në tregun e ardhshëm europian".
Përfaqësuesit e ministrisë italiane dhe asaj shqiptare për Mjedisin diskutuan në këtë takim mbi projektet e përbashkëta, por edhe mbi planin e veprimit konkret për të ardhmen. "Shpresoj të kemi një plan veprimi më tepër në partneritetin reciprok edhe për faktin se Shqipëria është vend potencialisht kandidat për Bashkimin Europian", theksoi Mediu. Por, sipas tij, "ajo që është e rëndësishme të kuptohet nga ana jonë nuk është thjesht çështja e miratimit të ligjeve dhe përafrimit të legjislacionit mjedisor me atë europian, por sidomos implementimi i tyre në fushën konkrete".
"Ne jemi në momente të zhvillimeve ekonomike shumë të rëndësishme dhe sidomos në fushën e energjisë së rinovueshme, që kërkon jo vetëm thjesht një oponencë nga Ministria e Mjedisit për aspektin mjedisor, por sidomos në aspektin që këto zhvillime e inevestime të kenë në fokus mjedisin, si element kryesor në zhvillimin e tyre", nënvizoi ministri Mediu.
Bashkëpunimi me Italinë edhe në fushën e mjedisit, është një ndër më të rëndësishmit për vendin tonë, i konkretizuar nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme. /a.ke/