English

Kisha “urdhër” partive politike: Gjeni zgjidhje për situatën politike

Tiranë, 05 maj, NOA – Pas ndërkombëtarëve, shoqërisë civile dhe shoqatave jo politike, janë drejtuesit e besimeve fetare ata që i kujtojnë klasës politike se vazhdimi i debatit për zgjedhjet, 10 muaj pas përfundimit të tyre po dëmton interesat e vendit.

Në një reagim jo të zakontë, Kisha Katolike kërkon nga klasa politike që të gjej zgjidhje për situatën e krijuar duke ju dhënë fund debateve. Në një letër publike Ipeshkvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri bëjnë apel për drejtuesit e partive kryesor duke u kujtuar jo vetëm moralin e kishës interesin kombëtar.

“Në këtë situatë të krijuar populli ynë po vuan. Ai ka të drejtë për një shoqëri më vëllazërore dhe paqësore. Vendi ynë po jep një përshtypje të keqe para botës, në këto çaste historike kur është një anëtar i NATO-s dhe një vend që po kërkon lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mohuar për dekada me radhë, dhe integrimin në Bashkimin Europian”, vrejnë në letrën e tyre drejtuesi e Kishës Katolike.

Ata shtojnë se politikanët me ndërgjegje dhe përgjegjësi duhet “të kërkojnë të mirën e përbashkët para çdo interesi tjetër partiak apo individual dhe të zgjedhin rrugën e dialogut të hapur pa asnjë paragjykim, për të cilin ka vend gjithmonë, në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhjeje më të denjë dhe të drejtë, duke pasur në zemër dhe në mendje gjithmonë të mirën e njerëzve tanë të vuajtur”.

Letra e drejtuesve të Kishës Katolike i drejtohet Presidentit të Republikës, Bamir Topi

Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, Kryeministrit Sali Berisha, Kryetarit të opozitës, Edi Rama si dhe kryetarëve të partive politike në Shqipëri. Letra është hartuar gjatë mbledhjes së Asamblesë vjetore në Tiranë të Kishës Katolike dhe ka ardhur si pasojë e “situatës shoqërore politike në vendin tonë e cila po kalon një krizë që dita-ditës po thellohet”.

Duke vlerësuar situatën e përgjithëshme drejtuesit e Kishës theksojnë se e ndjejnë për detyrë “që si barinj të Kishës Katolike të angazhohemi për përmirësimin e situatës”.

m.xh/NOA

KOMENTE