English

Largimi I Gazetarëve Të Rtsh-Së-Tufa: Urdhër I Edi Ramës

TIRANË, 5 Maj/ ATSH/- Moslejimi i gazetarëve të Radio Televizionit Shqiptar për të raportuar mbi situatën e grevës së nisur që më 30 prill nga opozita, u konsiderua antikushtetuese nga Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Agron Tufa. Përmes një deklarate, Tufa shprehu indinjatën për bllokimin e dhunshëm që drejtues të PS-së i kanë bërë ekipeve të gazetarëve dhe operatorëve të RTSH-së në ndjekjen e grevës së urisë që po zhvillohet këto ditë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". "Jemi të shqetësuar nga veprimi antiligjor i zëdhënëses së PS, Armela Ymeraj, e cila me forcën e badigardëve ka ndaluar gazetarin Arsen Hoxha që të kryente detyrën e tij", tha Tufa, duke shtuar se "ky nuk ishte një vendim personal i zëdhënëses së kësaj partie, por një urdhër i kryetarit Edi Rama". Sipas tij, moslejimi i gazetarëve të RTSH-së për të raportuar mbi grevën është konfirmuar nga vetë kryetari i PS, Edi Rama, në një bisedë telefonike me Drejtorin e Aktualitetit, Artur Kopani. "Këto janë veprime antikushtetuese", tha Tufa, duke shtuar se "na duket paradoksale që në një grevë politike paqësore, siç proklamohet, të ushtrohet shantazh dhe të pengohet e drejta e gazetarëve për informimin e publikut". Tufa bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe i kërkoi PS dhe të gjitha foracave politike që të respektojnë Kushtetutën./e.gj/s.s./
KOMENTE