Leçe: Kundërshtohet Riekspertimi I "Otrantos", Procesi Gjyqësor Drejt Fundit
LEÇE (ITALI), 5 maj /ATSH-Harilla Koçi/ - Gjykata Penale e Apelit(Tribunale Penale), në qytetin e Leçes, Itali, nuk pranoi të martën riekspertimin e ngjarjes së vitit 1997 ku humbën jetën 81 persona, nga përplasja e një anijeje shqiptare me një anije ushtarake italiane, dhe senaca përfundimtare do të zhvillohet në 11 tetor të këtij viti.
Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes kërkoi riekspertim të ngjarjes që ndodhi 13 vjet më parë dhe të rrethanave në të cilat u shkaktua përplasja e anijeve, por kërkesa e tij u kundërshtua nga avokati Agaçi, si e paargumentuar.
Gjykata vendosi gjithashtu që në datën 26 shtator të zhvillohet një sencë ku do të dëgjohet diskutimi përfundimtar i avokatit mbrojtës.
Në këtë mënyrë, çështja gjyqësore për zbardhjen e tragjedisë që ndodhi 13 vjet më parë, po shkon drejt fundit. Avokati Agaçi, tha për ATSH-në se, vendimi i dhënë një ditë më parë është mjaft i drejtë.
Kjo seancë u ndoq nga disa familjarë të viktimave të Otrantos, nga deputetët e PD-së, Ardian Kollozi e Kreshnik Çipi, deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri, dhe një grup gazetarësh vlonjatë.
Në vitin 2005, në përfundim të procesit gjyqësor që zgjati 8 vjet, Gjykata e Shkallës së Parë e Leçes shpalli fajtorë kapitenin e anijes ushtarake italiane "Sibilla" Fabrizio Laudadio dhe atë të "Katerit të Radës", Namik Xhaferri, duke i dënuar ata respektivisht me 3 dhe 4 vjet burg.
Në 28 mars të vitit 1997, anija "Kateri i Radës"me 115 persona në bord, në përpjekje për të udhëtuar drejt brigjeve të Italisë, u përplas me anijen ushtarake italiane "Sibilla". Për pasojë humbën jetën 81 persona mes të cilëve mjaft gra dhe fëmijë, ndërkohë që mbijetuan 34 të tjerë. Një pjesë e viktimave rezultojnë të zhdukur./ch/