Prishtinë, 05 maj, NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi me çmimin “Artiste e Merituar”, artisten dhe këngëtaren Nexhmie Pagarusha, për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.
Në arsyetimin e dekorimit, Sejdiu theksoi se kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar, është i një rëndësie të jashtëzakonshme.
“E përkushtuar gjithë jetën për të ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, tha Sejdiu.
Sipas presidentit, Pagarusha është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve.
Presidenti Sejdiu e dekoroi Pagarushën në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
m.s/NOA