Tepelenë, 05 maj, NOA – Drejtuesit dhe simpatizantët e Partisë Socialiste kanë bllokuar sot për disa minuta aksin rrugor Gjirokastër –Tepelenë, në mbështetje të grevës së deputetëve të Partisë Socialiste që kanë hyrë në grevën e urisë.
Policia e Gjirokastrës sqaron se dega lokale e PS-së në qytetin e Tepelënës ka organizuar rreth orës 11.30, në dalje të qytetit Tepelenë një tubim paqësor duke u solidarizuar me grevistët.
Tubimi është zhvilluar për disa minuta në vendin e quajtur “ish Agjencia e udhëtarëve”, përpara bustit të “Ali Pashës”.
“Në përfundim të tubimit një pjesë e pjesëmarrësve kanë tentuar të bllokojnë rrugën nacionale ku për 5 minuta aksi rrugor Gjirokastër -Tepelenë ka funksionuar me një kalim.
Me ndërhyrjen e policisë konform ligjit, gjithçka është normalizuar dhe tubimi ka përfunduar pa asnjë incident”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia sqaron se për zhvillimin e këtij tubimi, drejtuesit e këtij degës lokale të PS kishin marrë leje në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Gjithashtu, policia raporton se nuk ka pasur asnëj incident gjatë zhvillimit të këtij tubimi.
m.xh/NOA