Meta Garanton Kontributin Dhe Angazhimin E Shqipërisë Në Kuadër Të Nismës Adriatiko-Joniane
- Përfundon Ministeriali i Nismës Adriatiko-Joniane në Ankona të Italisë, ku mori pjesë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta-
TIRANE, 5 Maj/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë Ministerialit të Nismës Adriatiko-Joniane, që përfundoi punimet sot në Ankona të Italisë, i siguroi homologët e tij për kontributin dhe angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane, si dhe mbështeti iniciativën e marrë nga Italia për të shndërruar rajonin e Adriatikut dhe Jonit në një makro-rajon evropian dhe për të prezantuar strategjinë e këtij projekti të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërrajonal pranë institucioneve të BE-së.
Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se z. Meta vlerësoi gjithashtu rëndësinë e veçantë që i kushton kjo nismë procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, zv/kryeministri Meta informoi të pranishmit mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke vënë theksin mbi dy sfidat kryesore të Qeverisë shqiptare: përmbylljen së afërmi të procesit të liberalizimit të vizave me BE, si dhe marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Në këtë kontekst, z. Meta vlerësoi mbajtjen e Samitit të Sarajevës më 2 qershor, si një mundësi për t'i dhënë një shtysë të re nxitëse të gjitha proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi i XII i nivelit të lartë mbart këtë vit një simbolikë të veçantë, pasi përkon me 10 vjetorin e krijimit të Nismës Adriatiko-Joniane. Me këtë rast, Ministrat e Punëve të Jashtme, duke bërë një bilanc të angazhimeve dhe aktiviteteve të saj, ndanë së bashku vlerësimin për rolin e Nismës në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve anëtare, konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si dhe nxitjen e një zhvillimi ekonomik rajonal përmes projekteve me interes të përbashkët.
Në këtë Ministrial u miratuan dy deklarata të rëndësishme politike, Deklarata e Ankonës si dhe Deklarata e Këshillit Adriatiko-Jonian në mbështetje të Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit. Në Deklaratën e Ankonës u rikonfirmua perspektiva e qartë dhe e afërt evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe u vlerësua progresi i dukshëm që këto vende kanë arritur në procesin e integrimit në BE, duke nënvizuar rëndësinë e finalizimit të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Në fokus të Deklaratës për Strategjinë Evropiane për Rajonin Adriatiko-Jonian, krahas theksimit të procesit integrues në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte nevoja e inicimit të projekteve të bashkëpunimit në sektorë strategjikë si energjia, transporti, turizmi, kultura, arsimi, si dhe bashkëpunimi ndërportual, zhvillimi rural dhe nxitja e kontakteve ndëruniversitare.
Në përfundim të fjalës së tij, z. Meta vlerësoi suksesin e arritur nga presidenca italiane në realizimin e shumë aktiviteteve e projekteve me karakter rajonal, si dhe uroi presidencën e ardhshme të kësaj nisme nga Mali i Zi, duke e siguruar për mbështetjen e plotë të Shqipërisë.
Në këtë Ministerial, i cili shënoi edhe përfundimin e presidencës italiane të kësaj Nisme, morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Gjatë punimeve të këtij Ministeriali, zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pati takime me ministrin italian, Franko Frattini, ministrin slloven, Samuel Zbogar, ministrin malazez,. Milan Rocen dhe me ministrin e Bosnje-Hercegovinës, Sven Alkalaj./s.s./