English

Opozita Vazhdon Protestat Në Bulevardin "Dëshmorët E Kombit"

TIRANE, 5 Maj/ATSH/.- Opozita vazhdoi sot pasdite protestën e saj në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Përpara simpatizantëve të PS, pranë çadrave të ngritura në një nga arteriet kryesore të kryeqytetit shqiptar, përfaqësues të opozitës kanë pohuar vazhdimin e kësaj proteste, të nisur 5 ditë më parë, deri në plotësimin e kushteve të saj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, tha se protestat do të vijojnë dhe në ditët në vijim, deri në hapjen e kutive të votimit. Ndërsa deputeti Erion Braçe e konsideroi qeverinë të korruptuar dhe se po grabit shqiptarët. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, shprehu mbështetjen e partisë së tij me grevistët, duke pohuar se "demokristianët janë gati t'i bashkohen grevistëve". Deputeti i PS, Eduard Shalsi, tha se "përmes kësaj proteste duam që Shqipëria të qeveriset jo nga individi, por nga ligji, ndaj të cilit duhet të jemi të gjithë të barabartë". Protestuesit i kanë përshëndetur edhe pjesëmarrës në grevën e urisë, si Ilir Beqja, Ledi Shamku, Ermonela Felaj, të cilët kanë ripërsëritur vendosmërinë për vazhdimin e grevës deri ne plotësimin e kushteve të paracaktuara për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. /f.n/
KOMENTE