English

Ossh: Në Faturat E Muajit Prill U Kompensuan Konsumatorët

FATURAT E MUAJIT PRILL TIRANE, 5 Maj/ATSH-A.Gjonaj/ - Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka kompensuar konsumatorët që janë mbifaturuar në fillim të këtij viti nëpërmjet faturës së muajit prill. Drejtori i Shitjeve në OSSH, Ales Konrad, tha sot gjatë një konference për shtyp, se "të gjithë konsumatorët që kanë pasur mbifaturim në muajt e mëparshëm, janë kompensuar në faturat e muajit prill". Ai tha se nga verifikimet e kryera, u konstatua se rreth 100 faturues kishin kryer mbifaturim, për të cilën edhe u pushuan nga puna. Konrad tha gjithashtu se duke filluar nga ky muaj janë hequr të gjtha faturat aforfe për konsumatorët. "Objektivi i OSSH-së është eliminimi i abuzimeve në matje dhe për këtë po vendoset teknologjia e re "My Avis", që do të mbahet nga çdo faturues, që do të bëjë të mundur kalimin e të dhënave direkt në regjistrin kombëtar të faturimeve, si dhe do të ulë çdo mundësi abuzimi", deklaroi Konrad. Sipas tij, ky projekt ka nisur në Durrës dhe pritet të përfundojë në të gjithë vendin brenda vitit 2011. Qindra konsumatorët denoncuan mbifaturimin e faturave të energjisë elektrike dhe llogaritjen e gabuar të faturave me çmimet e rritura në muajin dhjetor 2009. Nga OSSH faturat e muajit dhjetor ishin përllogaritur me tarifat e rritura të energjisë të miratuara nga ERE në mesin e muajit dhjetor, çmime të cilat duhet të nisnin aplikimin në muajin janar të vitit 2010. Enti Rregullator i Energjisë vendosi në mes të muajit dhjetor 2009 të rrisë me 13 % tarifat e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2010, ose rreth 10 % më pak nga sa kishte kërkuar Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, tashmë e privatizuar nga kompania çeke ÇEZ./s.s./
KOMENTE