Berlin, 05 maj, NOA - Parlamenti i Gjermanisë ka filluar sot diskutimin mbi propozim ligjin për kontributin e Gjermanisë në paketën e ndihmës financiare për Greqinë, për ta shpëtuar këtë vend nga falimentimi.
Në fjalimin para ligjvënësve, kancelarja Angela Merkel e mbrojti vendimin e saj për t’i dhënë 22,4 miliardë euro nga paratë e taksapaguesve gjermanë.
Shuma do të jetë pjesë e paketës prej 110 miliardë euro të kontraktuar me BE-në dhe FMN-në.
Parlamenti i Gjermanisë pritet të votojë të premten në lidhje me shumën. Ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë masë, duke bërë thirrje dhe për një nxjerrje të Greisë nga zona e euros.
Ndërkohë në Greqi, punonjësit e sektorit publik dhe atij privat sot mbajnë grevë të përgjithshme kundër masave të qeverisë për uljen e shpenzimeve publike.
NOA