English

PD: Mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj Edi Ramës

Tiranë, 05 maj, NOA – Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj asaj që ajo e quan incidenti mes gazetarit të Televizionit publik Shqiptare dhe protestuesve të Partisë Socialiste dje në konferencën për shtyp të Kryetarit të Partisë Socialiste.

“Dje bodyguardët e Partisë Socialiste, në nderim të ditës ndërkombëtare të lirisë së mediave, keqtrajtuan dhe nxorën me forcë jashtë konferencës së tyre për shtyp gazetarin e Radio Televizionit Publik Shqiptar, si një dëshmi e qëndrimit brutal ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën”, u shpreh në një konferencë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

Partia Demokratike ka ftuar mediat që të reagojnë ndaj këtij akti, duke e parë atë si një rrezik për të ardhmen e tyre.

“PD nuk habitet aspak me këtë qëndrim të zotit Rama, por fton mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj këtij qëndrimi të Edi Ramës si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratën e PD.

Gjithashtu, në deklaratën e PD-së thekson se “hakmarrja e kryetarit të PS ndaj Radio Televizionit Publik Kombëtar, për fajin e vetëm se ky i fundit ka sjellë në ekranin dhe valët e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës për vuajtjen që zoti Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë, dëshmon faktin që Edvin Kristaq Rama është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit”.

m.xh/NOA

KOMENTE