Pd: Rama Përbën Rrezik Për Të Drejtën E Informimit
- PD reagon ndaj aktit të kryetarit të PS-së për keqtrajtimin e gazetarit të RTSH-së -
TIRANË, 5 Maj/ATSH/.- Partia Demokratike (PD) reagoi sot ndaj aktit të rëndë të drejtuesve të PS-së, të cilët përjashtuan dje përdhunshëm gazetarin e Radio Televizionit Publik Kombëtar, nga konferenca e tyre për shtyp.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, e konsideroi këtë veprim
"dëshmi e qëndrimit brutal të PS-së ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën".
"Hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj Radio Televizionit Publik Kombëtar, për fajin e vetëm se ky i fundit ka sjellë në ekranin e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës, për vuajtjen që Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë, dëshmon faktin që ai është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit", thuhet në deklaratën e PD-së.
PD fton mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj këtij qëndrimi të Edi Ramës si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre./a.s//a.ke/