Presidentit Topi I Dorëzohet Çelësi I Bashkisë Së Shishlit
- Gjatë vizitës në Turqi, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin XIII-të Ekonomik Euro-Aziatik -
TIRANË, 5 Maj/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin XIII që po mbahet në Stamboll, zhvilloi sot një takim me kryebashkiakun e Shishlit, Mustafa Sarigyl, i cili dorëzoi Çelësin e këtij qyteti.
Sipas një njoftimi për shtyp nga Presidenca, gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar me këtë rast në sallën e Këshillit Bashkiak të kësaj lagjeje të madhe dhe të rëndësishme industriale me pesë milionë banorë, Kreut të shtetit shqiptar iu dorëzua Çelësi i qytetit të Shishlit në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e madh në integrimin e Shqipërisë në NATO, në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme vëllazërore mes dy vendeve tona tradicionalisht mike dhe tashmë edhe aleate, si dhe mes dy popujve vëllezër.
Pas marrjes në dorëzim të simbolit më domethënës të qytetit të Shishlit nga kryebashkiaku Mustafa Sarigyl, i cili tha se "po i jepte çelësin e shtëpisë së tyre", Presidenti Topi shprehu mirënjohje për këtë vlerësim që forcon edhe më shumë miqësinë dhe marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera mes Shqipërisë e Turqisë.
Në pasditen e sotme Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të ngrohtë me përfaqësues të Shoqatës së Miqësisë "Shqipëri-Turqi", si dhe me përfaqësues të vjetër të bashkësisë shqiptare në Turqi, e cila u vlerësua "si një urë e fortë lidhëse mes dy popujve dhe vendeve që ndajnë së bashku jo vetëm historinë, por edhe të ardhmen e përbashkët euro-atlantike dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane."
Gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin Ekonomik, që po mbahet në Stamboll, Presidenti Topi u takua dhe me homologun e tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, me ish-presidentin e 9-të turk, Sulejman Demirel, me ish-krerë të tjerë shtetesh të pranishëm në Samit dhe me Drejtuesin e Fondacionit Marmara, Dr. Arkan Suver. /a.s/s.s./