Protesta Ps/Xhafaj:Grevë Urie Pa Afat
TIRANË, 5 Maj/ATSH/.- Deputetët socialistë, pjesëmarrës në grevën e urisë, iu drejtuan sot me anë të një letre komunitetit ndërkombëtar dhe medias, ku shprehen se protesta e tyre do të përshkallëzohet, duke hyrë në një grevë urie pa afat.
"Përballë mohimit antikushtetues të së drejtës sonë për transparencë dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e kauzës sonë për fatin e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në vend, ne kemi vendosur të përshkallëzojmë protestën tonë, duke hyrë në një grevë urie pa afat", thuhet në këtë letër, të publikuar për mediat nga deputeti grevist Fatmir Xhafaj.
"Kërkesa jonë është hetim parlamentar i plotë dhe i detajuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, që përfshin hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore që gjenden brenda kutive. Kjo kërkesë nuk ka për synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por ka qëllim që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulime si ato të zgjedhjeve të fundit të mos përsëriten më", thuhet më tej në këtë letër.
Greva e urisë e 22 deputetëve të PS-së dhe rreth 180 mbështetësve të tyre hyri sot në ditën e pestë të saj. E nisur në orët e para të së shtunës (1 maj) opozita përmes këtij aksioni politik synon të realizojë kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve.
Ndërkohë, dy ditë më parë Kryeministri Sali Berisha reagoi, duke i kërkuar kryetarit socialist Edi Rama që për kërkesat e tij t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose të vijë në komisionin hetimor të ngritur nga Kuvendi./a.s/s.s./