English

PSV 91 i bashkohet PS-së: Greva e urisë është e drejtë, e majta të riformatohet

Tiranë, 5 maj, NOA – Kryesia e Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, me anë të një deklarate për shtyp, e ka konsideruar grevën e urisë së opozitës si një “sakrificë sublime paqësore në mbrojtje të votës së lire”.

Më tej, ajo ka pohuar se “momenti që po kalon e majta shqiptare është historik për të ardhmen e saj dhe të shqiptarëve që e votojnë atë, prandaj nevojitet një riformatim i saj me zgjerim të koalicionit opozitar, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të vijë në pushtet”.

“Për këtë arsye, Kryesia e PSV 91 mandaton kryetarin e saj Gjergji Koja që, në emër të kësaj partie, të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë që do të mundësonin riformatimin dhe zgjerimin e koalicionit të majtë opozitar të drejtuar nga PS-ja”, citon më tej kjo deklaratë.

Ndër të tjera, brenda rreshtave të saj “në vend janë instaluar të gjithë elementet e një krize politike të thellë, e cila po përkeqësohet progresivisht nga mungesa e tolerancës për gjetjen e kompromisit. Kjo krizë politike po rëndon gjithashtu ndjeshëm krizën ekonomike që shqiptarët po e vuajnë prej disa vitesh”.

“Kjo krizë politike, e cila ka kulmuar me grevën e urisë së më shumë se 20 deputetëve të PS dhe të dhjetëra qytetarëve, vërteton plotësisht se PSV 91 kishte plotësisht të drejtë kur deklaroi zyrtarisht se rezultati i zgjedhjeve të qershorit 2009 ishte i deformuar dhe se vota e shqiptarëve ishte tjetërsuar”, përfundon ajo.

n.e/NOA

KOMENTE