English

Samiti Euroaziatik/Topi Apel Investitorëve Të Huaj Për Prani Më Të Madhe Në Shqipëri

TIRANË, 5 Maj/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e XIII-të Ekonomik Euro-Aziatik në Stamboll, bëri thirrje për një prani më të madhe të investitorëve të huaj në Shqipëri, si nga Turqia dhe nga shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë eveniment. Presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar, mori pjesë sot paradite në fillimin e punimeve të Samitit XIII Ekonomik Euro-Aziatik që po zhvillohet në Stamboll, në datat 5-7 Maj. Pas ceremonisë së hapjes së këtij Samiti të rëndësishëm euro-aziatik, që organizohet nga Fondacioni Marmara dhe ku marrin pjesë kryetarë shtetesh e qeverish, ministra, kryebashkiakë e drejtues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të vendeve që lagen nga Deti i Zi e më gjerë, Kreu i shtetit shqiptar në fjalën e tij përshëndetëse vuri në dukje zhvillimin e konsiderueshëm ekonomik të Shqipërisë, kushtet favorizuese dhe klimën lehtësuese dhe tërheqëse që ajo ofron për investitorët e huaj. Duke apeluar për një rritje e prani më të madhe të investitorëve dhe kompanive nga Turqia dhe nga të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse në Samitin XIII Euro-Aziatik, në vendin tonë, Kreu i shtetit theksoi se "ky Samit mbahet në kushtet e krijuara nga efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore, që ka prekur rajonet që shtrihen në lindje dhe në perëndim të Detit Marmara, duke dëshmuar, se në një botë që globalizohet përditë e më shumë, fatet tona janë të përbashkëta e pikërisht për këtë jo vetëm përgjegjësitë, por sidomos rrugët për të përballuar sfidat, për të parandaluar rreziqet dhe për të përmirësuar ekonomitë tona nuk mund të jenë më individuale." Duke vënë në dukje rëndësinë e rritjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit të gjithanshëm, Presidenti Topi u shpreh se, "ky Samit të fton të flasësh për energjinë, për akset e furnizimit me gaz të Rajonit të Kaukazit, të Lindjes së Mesme dhe të Azisë së Mesme, për perspektivën e zhvillimit të ekonomisë së vendeve tona dhe natyrisht, për hartimin e një strategjie konkrete për të arritur një dialog frutdhënës dhe një paqe botërore, që i hap rrugën zhvillimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, punësimit të tyre, për të zvogëluar varfërinë dhe vuajtjet dhe për rritur prosperitetin në rajonin euroaziatik dhe në mbarë botën." Sipas tij, "debatet dhe përpjekjet e këtij Samiti do të shërbejnë për të ndihmuar njohjen, evidentimin dhe trajtimin e problemeve rajonale dhe botërore kyçe, të cilat prekin ekonomi dhe vende të rëndësishme, me parametra të ndryshëm të zhvillimit apo të pjesëmarrjes në tregjet botërore dhe të përgjegjësive në institucionet ndërkombëtare"./s.d//a.ke/
KOMENTE