Shënim - Sistemi Elektoral Britanik
LONDËR, 5 maj /ATSH-AFP/ - Zgjedhjet legjislative britanike gjatë të cilave vihen përballë njëra tjetrës partia Laburiste e kryeministrit Gordon Brown dhe konservatorët, të ndjekur nga liberaldemokratët, paraqiten si një ekuacion me tre të panjohura të cilat bëhen edhe më të vështira nga sistemi elektoral britanik.
- Zgjedhjet në Dhomën e Komuneve, Dhoma e ulët e Parlamentit, mbahen me votim njëemëror mazhoritar me një tur: kandidati që merr më tepër vota bëhet deputet. Ky sistem favorizon partitë e mëdha ndaj atyre të vogla, pasi zgjedhësit dëshirojnë të votojnë "në mënyrë të dobishme" që në turin e parë dhe të vetëm.
- Të 650 zonat elektorale të Anglisë, Uellsit, Skocisë dhe Irlandës së Veriut janë në ndarje të vazhdueshme për të mbajtur në to mesatarisht rreth 70 000 zgjedhës të regjistruar. Por, rishikimi bëhet çdo 12 vjet. Meqë rishikimi i fundit është bërë në vitin 2000, këto zgjedhje bazohen në lista të hartuara përpara një dekade. Për këtë dhe për shkak të lëvizjeve të popullsisë, madhësia e zonave zgjedhore varion nga 22 000 deri në 110 000 zgjedhës, një situatë që favorizon shumë laburistët. Bastionet e Partisë Laburiste janë në fakt në qytete, në zona elektorale ku numri i zgjedhësve të regjistruar është pak më i ulët dhe ku, në këtë mënyrë, duhen më pak vota për të zgjedhur një deputet. Kështu, laburistët mund të humbasin për sa u përket votave në nivel kombëtar, përballë konservatorëve, madje edhe përballë liberaldemokratëve, por megjithatë, ata mund të fitojnë për sa u përket vendeve në parlament.
- Zgjedhësit zgjedhin deputetët e tyre, por nuk zgjedhin drejtpërdrejt kryeministrin.
- Partia që merr shumicën absolute në Dhomën e Komuneve (326 deputetë nga 650) thirret nga mbretëresha për të formuar një qeveri dhe kryetari i saj bëhet kryeministër.
- Nëse asnjë parti nuk ka marrë shumicën absolute, parlamenti quhet "hung" ("i varur"). Në këtë rast, kryeministri aktual mban ende detyrën. Në mungesë të përfshirjes me shkrim në kushtetutë, situata kërkon që ai të qëndrojë në detyrë, edhe pse është mundur me vota dhe me vende. Atëherë ai mund të përpiqet të gjejë mbështetje tek parti të tjera. Megjithatë, nëse krijohet një koalicion kundër tij, ai është i detyruar të japë dorëheqjen.
- Në rast se nuk ka zgjidhje politike, kryeministri mund të mbetet në detyrë deri në fjalimin e mbretëreshës, e cila hap zyrtarisht legjislaturën e re, më 25 maj. Tradicionalisht, në këtë datë programi i qeverisë paraqitet për votëbesim.
Atëherë, liberaldemokratët ose disa parti të vogla do të ishin ato që do të bënin diferencën: mbështetja e tyre mund të bëjë të mundur mbetjen në fuqi të Partisë Laburiste ose t'u japë pushtetin konservatorëve. Mungesa e shumicës absolute do të ishte diçka që nuk ka ndodhur që prej vitit 1974. Në atë kohë, u zhvilluan zgjedhje të reja pas nëntë muajve.
/I.Pu.