English

"Shqipëria Dixhitale"-Berisha: Qeveria Mbështet Çdo Përpjekje Për Realizimin E Projektit Kombëtar

- Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës - TIRANE, 5 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha siguroi sot, se "qeveria do mbështesë çdo përpjekje që të realizohet sa më shpejtë një ëndërr e vërtetë kombëtare, Shqipëria dixhitale". Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës. Kryeministri përuroi gjithashtu edhe sallën e re të leksioneve në këtë fakultet. Duke e konsideruar diplomimin si një moment të veçantë për çdo student, Kreu i Qeverisë tha se "dita e diplomës është një ditë kurorë në jetën e çdo diplomanti". "Sot ju, pas shumë e shumë vitesh, që nga mosha 6-7 vjeçare deri më sot, keni ngjitur me përkushtim të madh, me pasion dhe me sakrifica të mëdha personale dhe familjare, shkallën e dijes", iu drejtua Kryeministri Berisha studentëve të sapodiplomuar. Kryeministri e cilësoi këtë si një ngjarje të madhe edhe për jetën akademike të vendit dhe vendin në tërësi, sepse Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit jep diplomat e para në këtë fushë, që përbën përparësinë më madhore për qeverinë. Mosha dixhitale është objektivi kryesor i qeverisë, tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "ajo është leva e Arkimedit për t'u shkëputur nga një trashëgimi e vështirë dhe jo e favorshme". Mosha dixhitale, sipas tij, "është mekanizmi me të cilin ne si shoqëri do të mund të ecim me shpejtësi rekord". "Ne si komb kemi humbur shumë kohë, ne jemi një komb me histori mbijetese dhe tani na duhet vetëm zhvillim. Ju informoj se këto 4 vite treguesi i përdorimit të internetit është rritur mbi 6 herë, por nevojat janë për të kapur mesataren europiane, ndaj ky tregues duhet të rritet mbi 10 herë", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri kërkoi gjithashtu dyfishimin e numrit të studentëve dhe rritjen e cilësisë akademike. Kreu i Qeverisë nxiti gjithashtu kërkimet shkencore, duke theksuar se "asgjë nuk ka më të rëndësishme për zhvillimin e mendimit intelektual se sa kërkimet shkencore". "Në këtë fushë ne duhet të punësojmë qindra mijëra të rinj shqiptarë. Ne duhet të fillojmë të shndërrohemi në eksportues të fuqishëm të softeve në rajon dhe Europë", tha Kryeministri Berisha. Në përfundim, Kryeministri u dorëzoi në mënyrë ceremoniale diplomat disa prej studentëve të Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, përfaqësues të stafit akademik, studentë e familjarë. /s.s./
KOMENTE