Spahiu: Shëndeti I Grevistëve I Rënduar, Por Situata Mbahet Nën Kontroll
TIRANË, 5 Maj/ATSH/.- Greva e urisë e 22 deputetëve të Partisë Socialiste dhe një grupi mbështetësish të tyre ka hyrë sot në ditën e pestë dhe sipas mjekëve që monitorojnë gjendjen e tyre, "tek grevistët janë shfaqur shenja lodhje, tension i ulët dhe këputje".
Mjekja Klodiana Spahiu, njëkohësisht deputete e PS-së, pas daljes dje nga spitali për shkak të problemeve të shfaqura gjatë ditëve të grevës, sot i është bashkangjitur grupit të mjekëve që po monitoron nga afër shëndetin e grevistëve.
"Nuk mund të them se gjendja e tyre është e mirë, pasi ata kanë shfaqur probleme që në ditën e dytë të grevës. Gjatë ditës së sotme stafi ynë ka asistuar me shërbimin mjekësor të elektrokardiogramës çdo grevist", u shpreh Spahiu.
22 deputetë të PS-së dhe rreth 180 mbështetës të kësaj partie janë ngujuar në disa çadra të ngritura përpara selisë së qeverisë. Me këtë veprim ata kërkojnë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. /a.s/s.s./