English

Sport-Merkato/ Elis Bakaj Oferta Nga Dy Skuadra Evropiane

TIRANË, 5 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Sulmuesi i Dinamos, Elis Bakaj, me 13 gola këtë sezon, është shumë pranë largimit nga skuadra e Dinamos. Për sulmuesin e kombëtares jaë të interesuara disa ekipe evropiane, por ofertat më konkrete janë nga Liteks Lovech në Bullgari dhe Erzgerbingen Aue në Bundesligën 2 gjermane. Sipas drejtuesve dinamovitë, "Bakaj pritet të udhëtojë në 13 maj drejt Gjermanisë ku do të testohet tek skuadra e gjermane. Ndërkohë që vijojnë edhe bisedimet midis Dinamos dhe Litex Lovech, të cilat janë në fazë intensive për të realizuar transferimin e 22-vjeçarit Bakaj, që u shpall lojtari më i mirë i vitit 2009 nga Federata Shqiptare e Futbollit". Dëshira e lojtarit duket se është kampionati gjerman, por nuk refuzon edhe një aventurë në kampionatin bullgar. Në rast se do të transferohej te Liteks, Bakaj nuk do të jetë lojtari i parë shqiptar që do të luajë për kampionët bullgarë. Më parë me këtë ekip kanë luajtur edhe futbollistët e kombëtares, Alban Bushi dhe Altin Haxhi. Litex Lovech ka fituar tre tituj kampionë në Bullgari: 1998, 1999 dhe tani më 2010. Në titullin e parë (1998) dha kontributin e tij edhe Alban Bushi. Ndërkohë që Bushi në titullin e dytë tek Litex Lovech kishte në krah edhe Altin Haxhin. Për sulmuesin shqiptar Bakaj është folur shpesh për një transferim të mundshëm jashtë dhe për të janë përmendur emra të tillë si, Borusia Dortmund (Gjermani), Kievo (Itali), por dhe Inter Baki në Azerbajxhan, ndërsa para tre sezonesh ai ishte një provë te Pas Janina në Greqi. Ndërkohë, Bakaj do të jetë pjesë e kombëtares në grumbullimin për miqësoret ndaj Malit të Zi në 25 maj në Podgoricë dhe ndaj Andorrës në 2 qershor në Tiranë. /a.ke/
KOMENTE