Tiranë, 05 Maj, NOA – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, së bashku me krerë të lartë të shtetit, bëri sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Në nderim të kujtimit të patriotëve dhe dëshmorëve të kombit, Kryetarja e Kuvendit vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Në këtë ditë reflektimi për lirinë, Jozefina Topalli u takua me familjarë dhe të afërm të dëshmorëve , të pranishëm në ceremoninë e organizuar, njofton zyra e shtypit e Kuvendit.
Më pas, Kryetarja e Kuvendit së bashku me Kryeministrin, Sali Berisha bënë një vizitë në shtëpinë e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.
“Në bisedën e ngrohtë familjare me bashkëshorten Fatmira, fëmijët e tij dhe të afërm të tjerë, ata vlerësuan liderin e lirisë Azem Hajdari, si një ikonë të rrallë të demokracisë, që priu të rinjtë në realizimin e ëndrrës për një Shqipëri të lirë”, thuhet në njoftimin për mediat të zyrës së shtypit të Kuvendit.
m.xh/NOA