English

Tregut Të Punës I Shtohen 160 Inxhinierë Të Teknologjisë Së Informacionit

TIRANE, 5 Maj/ATSH/.-Fakulteti i Teknologjise së Informacionit, dega më e re e Universitetit Politeknik të Tiranës, diplomoi sot përmes një ceremonie 160 studentët e parë, të cilët që nga viti 2007 kanë studiuar me sistemin e Bolonjës. Ndërsa në shërbim të procesit mësimor për studentët që vijojnë ende studimet, ky fakultet përuroi edhe një sallë të re leksionesh me vlerë 30 mijë euro, nga ku do të dalin breza të tjerë inxhinierësh. Kryeministri Sali Berisha i pranishëm këtë ceremoni siguroi se "qeveria do mbështesë çdo përpjekje që të realizohet sa më shpejtë një ëndërr e vërtetë kombëtare, Shqipëria dixhitale". "Diplomimi i inxhinierëve të rinj përbën një ditë të veçantë", tha dekania e Fakultetit të Teknologjise së Informacionit, Rozeta Miho, duke vënë në dukje se Shqipëria sot, si pjesë përbërëse e një bote gjithmonë e më shumë HI-TECH, është një vend ku kërkesa për inxhinierë është gjithmonë e në rritje. "Tregu i punës sot, ka bërë që programet tona mësimore t'i shërbejnë këtij tregu, duke përgatitur inxhinierë të aftë për të përballuar kërkesat më të fundit të teknologjisë", tha Rektori i UPT-së, Jorgaq Kacani, duke garantuar se universiteti që ai drejton do t'i përgjigjet maksimalisht ofrimit të cilësisë Ergys Rexha, një prej inxhinierëve të rinj që do t'i shtohen tregut të punës në fushën e teknologjisë, tha se "me këtë diplomë do të kem mundësi që të angazhohem menjëherë, si pjesë përbërëse e stafit të një kompanie të telefonisë celulare mobile". Fusha punësimi për këta inxhinierë janë edhe ato të telefonisë fikse, në krijimin e aplikacioneve web, zhvillimin e sofware-eve të ndryshëm, krijimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të kompjuterave etj. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit përbëhet nga Departamenti i Elektronike-Telekomunikacion, Departamenti i Inxhinerisë Informatike dhe Qendra për Kërkim dhe Zhvillim në Teknologjitë e Informacionit (INIMA). Departamentet u krijuan nga ndarja e Departamentit të Elektronikës të Fakultetit të Inxhinerisë Elektrike, ndërsa Qendra është vazhdim i Institutit të Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar (INIMA) i Akademisë së Shkencave./e.gj/s.s./
KOMENTE