English

Uji i pijshëm, për 17 ditë kufizime në disa zona

Tiranë, 05 maj, NOA - Disa zona të kryeqytetit do të kenë reduktim të furnizimit me ujë të pijshëm për 17 ditë me radhë.

Mungesa e ujit të pijshëm do të jetë në orarin e drekës e kryesisht në zonën e Laprakës, Siri Kodrës, Zogu 1, një pjesë e Kinostudios, deri pranë Qendrës.

Njoftimi është dhënë nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës e cila ka deklaruar për shkak të rikonstruksionit të plotë të impiantit të Bovillës, i cili nuk është kryer prej 12 vitesh.

Sipas Ujësjellësit, ndërhyrja në këtë impiant është e domosdoshme, pasi këto punime lidhen direkt me sasinë dhe cilësinë e furnizimit me ujë të Tiranës gjatë periudhës së verës dhe në vazhdim.

“Për shkak të punimeve që parashikohet të zgjasin 17 ditë, do të kushtëzohet sasia e ujit me 500 litra/sek, duke sjellë kështu edhe kufizime të pjesshme në disa zona të Tiranës”, thuhet në njoftimin e Ujësjellësit.

Për ti ardhur në ndihmë banorëve që do të preken direkt nga punimet për rikonstruksionin e impianti të Bovillës, Ujësjellësi ka menduar të kompensojë në masën 30% ujin e pijshëm nga burimet e Selitës dhe Shën Mërisë dhe diferenca që do i mungojë Tiranës në këto ditë, do të jetë 150 - 200 litra/sek.

Në fund të deklaratës, Ujësjellësi I ka siguruar konsumatorët, se janë marrë të gjitha masat organizative, me qëllim që punimet për rikonstruksionin e impiantit të përfundojnë brenda afatit të parashikuar.

b.a/NOA

KOMENTE