Tiranë, 05 Maj, NOA – Partia Demokratike akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se po përdor për interesa të karrierës së tij politik gratë duke i futur në grevë urie.
Deputetja e PD-së Albana Vokshi e cilësoi si të papranueshme futjen në grevë urie të grave dhe fajësoi për këtë kryetarin e PS-së, Edi Rama.
“Kam dalë këtu jo si politikane, por do të flas si nënë, me dy fëmijë të vegjël që janë për mua mendimi i parë tek zgjohem dhe mendimi i fundit i ditës. Z. Rama, je i vetmi njeri në botë, por edhe si kryetar Partie, që fut në grevë urie nëna me fëmijë. Z Rama, nënat me fëmijë nuk futen në grevë urie. A mendon ti Z. Rama, qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe një çast çfarë drame përjetojnë fëmijët e këtyre nënave?”, u shpreh deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
Ajo e akuzoi kryetarin e PS-së se nuk ka ndjeshmëri njerëzore dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi për jetën e tyre. “Ti Z. Rama nuk mund të kuptosh çfarë do të thotë përkujdesi dhe përgjegjësia për fëmijët. Vetëm ne nënat e dimë.
Z. Rama, fëmija është gjëja më e shtrenjtë për çdo nënë në botë, prandaj asnjë nënë nuk ta fal ty dramën që po përjetojnë fëmijët e tyre. Ata fëmijë që shohin nënat në burgun e rrugës po terrorizohen, Edhe ata nuk do të ta falin ty këtë. Nuk gjej dot emër tjetër për ty - Katil, u shpreh Vokshi.
m.xh/NOA