Tiranë, 6 Maj NOA - Me debate është shoqëruar seanca e sotme gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Dy dëshmitarët e parë të thirrur nga akuza kanë treguar detaje që kishin lidhje me ngjarje, të veçantë por që kanë lidhje me vrasjen e Marsel Sotirit.
Dëshmitari i parë i thirrur nga gjykata ishte Xhemal Ago. Në momentin që 81-vjeçari ka hyre në sallë, i pandehuri Lulzim Berisha është ngritur duke deklaruar se duhej pyetur a ishte mirë dëshmitari nga gjendja shëndetësore se vuante nga zemra.
Ndërkohë që të njëjtin reagim ka bërë edhe mbrojtësi i tij, avokati Ilia Ilia. Avokatët kërkuan që dëshmitari të pyetej në banesë, ndërkohë që gjykata vendosi që ai të japë deklarimet meqë ishte i pranishëm në sallë.
Ago tregoi se kishte lidhje krushqie me të pandehurin Lulzim Berisha, pasi djali i tij ishte martuar me kushërirën e parë të Lulit.
Më tej ai shpjegoi se vajza e tij Xhuljeta, e cila jetonte në plazh me familjen e saj prej disa kohësh e kishte burrin emigrant në Itali dhe jetonte e vetme në banesë. Për këtë arsye dëshmitari tregoi se i shkonte shpesh për vizitë.
Një nga pasditet, sipas tij, kishte ardhur në banesë e motra e Lulzim Berishës, e cila i kishte kërkuar shtëpinë një ditë pasi do të vinin disa miq të tyre kosovarë. Ndërkohë që të nesërmen, sipas Agos, ai kishte mësuar nga një lajmërim vdekjeje se kishte ndodhur një vrasje prapë banesës së vajzës së tij.
Gjatë deklarimeve të dhëna në 21 janar të vitit 2007 Ago kishte shpjeguar se “gjatë kohës që burri i vajzës sime qe në Itali, shkoja shpesh herë për vizitë. Kama qenë një ditë pasdite kur aty vjen Luljeta, motra e Lulzim Berishës me gruan e tij me emrin Bona. Kur u futëm brenda më përshëndetën “si je gjysh”. Erdhi dhe djali im Aureli. Nuk e di erdhi me ato apo vetëm. Luljeta më kërkoi nder që të qëndronte aty, se do ikte në Itali dhe më pas në Amerikë. Më vonë mora vesh se në shpitë kishte qenë Lul Berisha me ca shokë dhe as Bona as Luljeta nuk kishin ikur në Itali. Të nesërmen pas kësaj ngjarjeje kam marrë vesh se kishte ndodhur vrasje pranë banesës së vajzës sime”.
Dëshmitarja e radhës ishte Nafije Domi, e cila ishte banore në lagjen “Iliria”. Gruaja tregoi se kishte pasur një banesë me 6 dhoma e 5 banjo, të cilat i jepte me qira në periudhën e plazhit. Ajo tregoi para gjykatës se një mbasdite, kishte qenë muaji gusht prapë shinave të trenit, që ishte përballë banesës së saj kishte ndodhur një vrasje, por kjo e fundit nuk kishte qenë në shtëpi, por e kishte mësuar këtë fakt nga banorët që thoshin “u vra njëri”.
Në momentin që dëshmitarja ishte duke u larguar, i pandehuri Endrit Dokle u shpreh se “do të prishin shpinë meqë të morën gjeneralitetet”. Kryegjyqtari gjatë seancës së sotme i bëri me dije avokatit Vangjel Muzi se nëse bënte pyetje si ato që ka bërë me parë, do ja dërgonte Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë për masë disiplinore. Madje në paralajmërim e sipër gjyqtari duke përdorur edhe doza humori u shpreh se “do të heq bukën e fëmijës”, por avokati reagoi duke i thënë “’ç’ke me fëmijët e mi, janë në Amerikë”.
r.n/d.l/NOA