English

Belgjikë - Shpërbëhet Dhoma E Deputetëve Duke I Hapur Rrugën Zgjedhjeve Të Parakohshme

BRUKSEL, 6 maj /ATSH-AFP/ - Dhoma e deputetëve belgë votoi sot për shpërbërjen, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme të 13 qershorit pas dorëheqjes së qeverisë së Yves Leterme për shkak të mosmarrëveshje gjuhësore mes flamandëve dhe frankofonëve. Dhoma e Deputetëve e hodhi këtë hap duke miratuar orët e para të mbrëmjes një listë me më tepër se 50 nene të Kushtetutës që mund të modifikohen gjatë legjislaturës së ardhshme. Senati, Dhoma e Lartë e Parlamentit belg, pritet të bëjë të njëjtën gjë në mbrëmje. Kushtetuta belge parashikon që pas miratimit të kësaj liste nga dy Dhomat e parlamentit dhe publikimit të saj në gazetën zyrtare belge, gjë që pritet të bëhet nesër, parlamenti në tërësi është automatikisht i shkrirë dhe thirren zgjedhje legjislative brenda 40 ditëve. Data e zgjedhjeve do të përcaktohet zyrtarisht nga një vendim i mbretit që qeveria pritet ta miratojë të premten, por kryetari i Dhomës së Deputetëve, Patrick Dewael, është shprehur tashmë në seancën e sotme: "Zgjedhjet janë caktuar për më 13 qershor". Qeveria e kristiandemokratit flamand Yves Leterme dha dorëheqjen më 22 prill pas largimit nga koalicioni të partisë liberale flamande. Kjo e fundit parashikonte të protestonte kundër krizës në bisedimet që synonin vënien në dyshim të disa të drejtave gjuhësore të frankofonëve që jetojnë në Flandër. /I.Pu.
KOMENTE