Berisha: Në Shqipëri Funksionon Shteti I Së Drejtës Ndaj Do Zbatohen Vendimet E Gjykatave
- Kryeministri Berisha komenton protestën e opozitës duke nënvizuar se Shqipëria realizoi në 2009 zgjedhjet më moderne në historinë e vendit -
TIRANË, 6 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se "në Shqipëri gjithkush ka të drejtën të protestojë në mënyrë paqësore, por ky është një vend ku funksionon shteti i së drejtës, ndaj do të zbatohen vendimet e gjykatës".
Duke marrë fjalën në hapje të Forumit të V-të Ekonomik të Crans Montanës që nisi sot punimet në Tiranë, Kreu i Qeverisë u ndal te situata politike në vend dhe protesta e opozitës për transparencë të zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009.
Kryeministri renditi disa nga arritjet historike të vendit gjatë dy viteve të fundit, si antarësimi në NATO dhe progresi në drejtim të integrimit në Bashkimin Europian, por sipas tij "pavarësisht progresit të bërë kemi opozitën shqiptare në protesta".
Ai siguroi se "protesta e opozitës do të respektohet, pasi në këtë vend çdo zyrtar shqiptar do të ketë të drejtën të protestojë në mënyrë paqësore, në çfarëdolloj forme që e konsideron të përshtatshme".
"Gjykata e hodhi poshtë kërkesën e opozitës për rinumërimin e votave dhe vendimi i gjykatës do të respektohet totalisht. Shteti i së drejtës funsionon", tha Kryeministri Berisha në fjalën e tij.
Sipas tij "Shqipëria është një vend i lirë dhe padyshim liria është baza e çdo stabiliteti". Duke u ndalur te përpjekjet e vendit për të ndërtuar lirinë dhe demokracinë, Kryeministri vuri në dukje se "Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në vitin 2008 dhe e bëri realitet këtë ëndërr në vitin 2009, duke u bërë anëtare me të drejta të plota në Aleancë".
"Vendet e BE-së votuan në parlamentet e tyre MSA-në me Shqipërinë. Qershorin e 2009 ne zhvilluam zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Angazhimi i qeverisë sime ishte realizimi i zgjedhjeve që plotësonin standardet ndërkombëtare", tha Kryeministri Berisha.
Në këtë drejtim, ai nënvizoi se "zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 ishin zgjedhjet më moderne dhe më bashkëkohore në historinë e vendit". "Në disa aspekte në procesin e numërimit u realizua numërimi më model që ka parë ndonjëherë Europa. Falë teknologjisë së lartë në vendet e numërimit, çdo votë u filmua, fotografua dhe u transmetua në një ekran të madh në KQZ, në kohë reale", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "këto zgjedhje hapën derën për Shqipërinë dhe bënë që në 16 nëntor 2009 ministrat e Jashtëm të 26 vendeve europiane votuan që Shqipërisë ti hapeshin dyert për anëtarësim në BE".
"Komisioni Europian na dorëzoi pyetësorin me 2284 pyetje në 16 dhjetor 2009. Në 14 prill 2010 unë i prezantova Komisionit librin e përgjigjeve të këtij Pyetësori me 3854 faqe", tha Kryeministri Berisha në punimet e Forumit të Crans Montanës.
Forumi i V-të Ekonomik i Crans Montanës që nisi sot punimet në Tiranë do të ketë në fokus sfidat e krizës financiare ndërkombëtare, sfidat gjeo-strategjike lidhur me energjinë në Europën Juglindore, zhvillimin dhe përmirësimin e investimeve të huaja, etj.
Në këtë Forum marrin pjesë 250 pjesëmarrës, mbi 1/3 prej të cilëve përfaqësues nga institucionet kryesore financiare ndërkombëtare, nga qeveri të ndryshme të vendeve anëtare të BE-së dhe nga kompani të mëdha të huaja, të interesuara për investime në Shqipëri.