English

Berisha: Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike

Tiranë, 6 maj, NOA - Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike për 3 arsye: ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit; sektori publik i vogël që nuk rëndon në supet e taksapaguesve dhe falë investime strategjike në infrastrukturë që janë në funksion të biznesit.

Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha sot në fjalimin e mbajtur hapjen e Forumit të Krans Montanës, i cili po zhvillohet në Tiranë, ku sipas tij, “investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por gjithashtu edhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira dhe qeveria shqiptare po punon pikërisht për një gjë të tillë”.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi si mjaft të veçantë kohën kur mbahet ky forum, një kohë krize ekonomike botërore, por të cilës Shqipëria i bëri ballë, me shumë pak luhatje, falë reformave shumëdimensionale që janë ndërmarrë në lehtësimin e të bërit biznes në Shqipëri.

“Ne jemi të angazhuar që ta bëjmë vendin tonë me ngarkesën fiskale më të ulët në Evropë” nënvizoi gjatë fjalë së tij kryeministri Berisha.

Në këtë kontekst, ai renditi si mjaft të rëndësishme, zhvillimet që ka pasur në regjistrimet online të biznesit, modernizimin e doganave, taksa e sheshtë 10 për qind, pagesa e taksave online.

“Dje pashë regjistrin elektronik të bizneseve të reja, është shumë inkurajuese. Investimet direkte të huaja në 2008, janë rritur prej 59 për qind. Pasi Shqipëria mori ftesën për në NATO, deri më sot, ne kemi nënshkruar me 5 miliard dollarë koncesione dhe investime të drejtë për drejta të huaja. Investimet e huaja janë ulur pak, por nuk janë tërhequr. Të gjithë po vazhdojnë me projektet e tyre dhe qeveria është pranë tyre”, u shpreh kryeministri Berisha.

Duke u ndalur në efektet që kriza ekonomike botërore pati në Shqipëri, kryeministri Berisha vuri në dukje se vetëm falë reformave të ndërmarra dhe performancës së qeverisë, u arrit që të përballohej me sukses ajo tronditje e lehtë që u pasqyrua edhe në ekonominë shqiptare.

“Sistemi ynë bankar është një nga sistemet më të shëndetshme në botë. Depozitat u rritën. Në sistemin tonë bankar sot ka 780 miliardë lekë dhe janë kredituar rreth 45 miliardë lekë që do të thotë se raporti depozitë-kreditim, është shumë më mirë se optimalja e parashikuar” u shpreh kryeministri Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE