Tiranë, 6 maj NOA – Me një thirrje të fortë i është drejtuar sot një tjetër deputete e Partisë Demokratike, ajo e Korçës, Ledina Alolli, kreut të socialistëve, Edi Rama. “I drejtohem sot Kryetarit Socialist, Rama, me dhimbje prej nëne, si nënë e dy fëmijëve, nuk mund ta kuptoj sesi nënat mund të vënë urdhrin e Kryetarit para fëmijës”, - tha Alolli në një dalje të posaçme për mediat.
“Zoti Rama, me zemër nëne të drejtohem sot në emër të shumë nënave që më thonë se duhet të bëjmë diçka që kryetari i pashpirt t’i nxjerrë nga greva e urisë ato nëna fëmijësh”, - vijoi Alolli.
Kurse iu drejtua Edi Ramës dhe me pyetjen: “A ke shpirt ti Zoti Rama, a ke zemër? A e di ti zoti Rama se sa fort dhemb në shpirt zëri i dridhur i vogëlushëve”, e cila u pasua nga vlerësimi se “për një nënë, fëmija është i pari”.
Më tej Alolli evidentoi faktin se një foshnje nuk kupton se çfarë është “kutia”: “Kutia e vetme që ai dëshiron është prehri dhe gjiri i nënës së tij. Mos ua shkul nga gjiri fëmijëve nënat, për ti futur në grevë urie. Mos u shkul nga krahët nënave dritën e syrit, fëmijët. Mos ua prish gjumin e ëmbël fëmijëve me ëndrra tmerri për nënat e tyre”.
Në këtë pikë, Alolli i thotë z.Rama: “Vetëm një katil mund ta bëjë këtë” dhe i bën thirrje: “Zoti Rama çliroji nënat nga burgu ku i ke futur dhe lejoji të rrinë me të vegjlit e tyre. Është dëshpëruese, është mizore, është e pafalshme kjo që po bën zoti Rama. Për gjithçka, ti je përgjegjësi”.
r.n/NOA