Shkodër, 6 maj, NOA /Milena Selimi – 6 maji, Dita e Luleve, që njihet si festa e ripërtëritjes, po kthehet nga viti në vit në një traditë festive për qytetin e Shkodrës.
Edhe sivjet në prag të festimeve të menduara për këtë ditë, Bashkia e Shkodrës dhe shoqata kulturore artistike “Prenk Jakova” nëpërmjet një konference për shtyp, kanë bërë prezantimin e programit të menduar, i cili kulmon më datën 6 maj.
Organizimet për këtë ditë do mbahen në mjedise të ndryshme të qytetit si në pedonalen “Kolë Idromeno” dhe sheshi “Luigj Gurakuqi” ku përveç panaireve, koncerteve dhe paradave me kostume është menduar edhe mbjellja e fidanëve dekorativë.
Priten të organizohen ekspozita punime në pikturë, punime të artizanatit në serm, bakër, dru, qëndistari, qilima, pëlhurë, etj, si dhe kostume tradicionale të zonës. Pjesëmarrës në aktivitetet artistike do të jetë banda frymore e qytetit, orkestrina popullore, formacioni i harqeve, si dhe grupe të ndryshme artistike.
Drejtoresha e Bashkisë në departamentin e kulturës, Zorba, bëri publik shumën e financuar nga institucioni që kap shifrën prej 1 milion lekë të reja, por evidentoi faktin se biznesi ka qenë pothuajse indiferent me kontribute.
Në performim, nuk do të mungojnë këngëtarë të qytetit si Bujar Qamili dhe përshëndetjet e autoriteteve lokale. Repertori i kësaj feste do të mbajë në pjesën më të madhe këngë kushtuar luleve dhe punimeve tradicionale të qytetit.
m.s/n.e/NOA