Durrës: Kompania Teatrore "Fresco Dance", Premierë Në Festivalin Ndërkombëtar
DURRËS 6 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Trupa izraelite Fresco dance company" ka shkëlqyer mbrëmjen e kaluar me performancën e saj në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit.
Në natën e tretë të Festivalit Dance 2010, kërcimtarët Oded Rohnen nga Izraeli dhe Joel Bray nga Australia shfaqën spektaklin "Dorban 2 O/Island of sanity", dy pjesë që përbëjnë skeletin e një bashkëpunimi të ri mes artistëve nga kontinente të ndryshme, të cilët me kërkesën e organizatorëve të "Albanian Dance International Festival" zgjodhën Shqipërinë si vendi i premierës botërore të performancës së tyre të re.
Një frigorifer i mbushur me çadra dhe telefonë të madhësive të ndryshme ishin dekori i vetëm i pjesës "Dorban 2 O", ku Oded Ronen përmes lëvizjes ekspresive analizon lidhjen e fortë që sjell dashuria dhe besnikëria për ta përballuar jetën. Joel Bray, protagonisti kryesor në pjesën "Island of sanity" kërkon të marrë vendime të vështira mbi atë se çfarë duhet të bëjë në se mbetet i vetëm në një ishull të braktisur.
Muzika e përzgjedhur dhe shfrytëzimi i dritë-hijeve që kombinoheshin në mënyrë inteligjente me synimin për të treguar historiza të veçanta të jetës ngjallën interesimin e shikuesve të shumtë në teatrin "Aleksandër Moisiu".
Në tre mbrëmjet e para të edicionit të pestë të Albanian Dance Meeting që ka nisur në Durrës më 1 maj janë ngjitur në skenë 5 trupa nga Spanja, Zvicra, SHBA dhe Izraeli, ndërsa sot është radha e dy shfaqjeve të trupës amerikane "Neta Dance Company".
Në shfaqjen e parë të mbrëmjes së kaluar artistja amerikane Ursula Eagly me performacën e saj kontradiktore "Pllajat e Idës" shfrytëzoi elementin e fjalës, këngës dhe të ndriçuesve për të evokuar pamjet pas apokalipsit në pllajën ku shkatërrimi dhe ringjallja shihen kudo. Eagly ka dhënë shfaqje në festivale të ndryshme nga Japonia deri në Shqipëri.
Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan do të vazhdojë deri më 28 maj duke sjellë në skenat e Durrësit dhe Tiranës 13 kompani nga 8 vende të botës si Franca, Spanja, Izraeli, Svicra, SHBA, Shqipëria, Hungaria dhe Suedia.
Shumë prej trupave teatrore vijnë në edicionin e pestë të Festivalit ndërkombëtar të Dancitr Modern dhe kontemporan me "prodhimet" e viteve 2009-2010 dhe gjatë këtij edicioni do të shfaqen edhe premierat botërore të disa shfaqjeve./ch/