Durrës: Mot I Kthjellët, Kushte Shumë Të Mira Për Lundrim
DURRËS, 6 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Moti i kthjellët dhe kushtet e favorshme detare do të karakterizojnë sot situatën meteorologjike në rajonin e Durrësit.
Burime nga kapiteneria e portit më të madh të vendit bënë të ditur për ATSH-në se tre tragete me udhëtarë dhe kamionë që mbërritën nga Bari (Itali) janë ankoruar në kalata që në orët e para të ditës.
Kushtet e mira detare do të mundësojnë trafikun normal të anijeve në hyrje dhe në dalje nga porti detar, shtuan burimet e mësipërme, sipas të cilave, në kalatat portuale tashmë ka nisur përpunimi i anijeve tregtare me mallra dhe kontejnerë.
Pjesa më e madhe e motopeshkatoreve të sektorit të Durrësit ndodhen aktualisht në gjueti nga grykëderdhja e Semanit në jug deri në atë të Bunës në veri.
Pas dy ditëve me mot të paqëndrueshëm, era, që sot fryn e lehtë nga juglindja, do të ndikojë në kushtet e mira të motit dhe të detit./s.s./