E Sotmja Dhe E Ardhmja E Tenisteve Durrsake
DURRËS, 6 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Shoqatat e tenisit 'Teuta' dhe 'Durrësi' të qytetit bregdetar prej pesë vitesh po përgatisin fëmijë dhe të rinj, të cilët në një të ardhme të afërt do të jenë kandidaturat më të mira të skuadrës sonë përfaqësuese të tenisit në kupën 'Davis'.
Përparim Zani, një nga veteranët dhe trajnerët e tenisit në Durrës duke iu referuar përgatitjeve të ekipit tonë kombëtar, i cili për herë të parë në maj të këtij viti do të përfaqësojë vendin në ndeshjen me Greqinë në kupën 'Davis', tha se bashkë me tenistët e rinj kanë dalë kampionët e parë për moshat deri në 12 vjeç, si Mario Trupa, Julio Isufi, Marko Lleshi e të tjerë mjaft të talentuar në moshat nga 15-18 vjeç si Kevin Kaceli, Ardit Bleta, Mario Hoxha, etj.
Mbi 50 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit tashmë janë përfshirë në pasionin e veçantë, i cili ka nevojë për mbështetje, thotë trajneri Zani. Një qytet me 200 mijë banorë si Durrësi ka vetëm dy fusha tenisi dhe përballë dëshirës së të rinjve për t'u stërvitur nevojitet krijimi i terreneve të tjera sportive.
Pasioni i "fshehtë" i amatorëve që në mesin e viteve 1980
Përparim Zani, i cili që nga viti 2006 përgatit talentet e rinj të ekipit 'Teuta', tha se afrimi i sportistëve veteranë amatorë dhe profesionistë të tenisit ka nxitur më shumë interesimin e të rinjve. Mbrëmjen e kaluar në fushën e tenisit "Durrësi" përfundoi veprimtaria e tenistëve veteranëve, të cilët synojnë të krijojnë një traditë të përhershme për të nxitur dëshirën e të rinjve në këtë sport elitar.
Për dy javë radhazi 18 tenistë të moshave mbi 35 vjeç u ndeshën në sistem grupi dhe në ndeshjen finale bashkëmoshatarët 51-vjeçarë Maks Prifti dhe Llambi Konomi zhvilluan një garë të vërtetë sportive.
"Është një pasion i hershëm, të cilin e kemi filluar që në mesin e viteve '80", tregon për ATSH-në Llambi Konomi, i cili prej disa vitesh stërvit privatisht një grup fëmijësh dhe të rinjsh.
Fushën e tenisit e kam ndërtuar në vitin 2007 në truallin e familjes sime, vetëm disa qindra metra larg dy fushave të plazhit ku mësuam të luajmë tenis 25 vjet më parë, shton më tej ai.
Në mesin e viteve '80 në dy fushat e shtruara me asfalt dhe me çimento në kompleksin turistik "Adriatiku" si dhe pranë kampit të punëtorëve në sektorin 'Iliria' të Plazhit, janë përgatitur thuajse në mënyrë klandestine edhe tenistët e parë të këtij sporti elitar, që për disa dekada radhazi gjatë sistemit komunist u etiketua si "sport borgjez".
Perlat Voshtina, Agron Xoxa, Edmond Krifca e Pirro Balli nga Tirana si dhe Art Pejzaku, Përparim Zani, Llambi Konomi dhe Llambi Prifti nga Durrësi u bënë promotorët e kampionatit të parë të vitit 1987, në përfundim të të cilit kampion u shpall inxhinieri durrsak Llambi Prifti.
Duke iu rikthyer veprimtarive të ish-tenistëve gjatë këtyre ditëve Konomi tregon se takimet e 18 amatorëve dhe ish-profesionistëve u organizuan në katër grupe dhe vazhduan për një javë radhazi, duke risjellë në fushat e shoqatave "Durrësi" dhe "Teuta" ish-sportistët Aleksandër Lleshi, Virgjil Ninni, Fatmir Mborja, Bujar Çepeli, Ben Xhaferri, Milo Hodo, etj. Ne kemi nevojë për mbështetjen dhe përvojën e tyre në përgatitjen e sportistëve tenistë, të cilët nesër do të përfaqësojnë vendin në veprimtari ndërkombëtare, përfundon Përparim Zani.
/s.s./