Elbasan: Rajoni I Osiekut Në Kroaci, Interes Bashkëpunimi Në Fushat Ekonomike
ELBASAN, 6 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/. - Rreth 20 firma nga rajoni i Osiekut (Kroaci) kanë shprehur interes për të bashkëpunuar me rajonin e Elbasanit në fushat ekonomike me interes të përbashkët.
Ky fakt u bë i ditur sot nga Kryetari i Dhomës së Ekonomisë së rajonit të Osiekut, Zoran Kovaçeviç, gjatë një vizite në Elbasan.
I shoqëruar nga konsulli shqiptar në Kroaci, Basri Halili, ai zhvilloi një takim me prefektin e Elbasanit, Shefqet Deliallisi dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, që kishte për qëllim, bashkëpunimin në fushat e ekonomisë mes dy rajoneve.
Kovaçeviç duke bërë të ditur se në kuadrin e bashkëpunimit me vende të ndryshme në Ballkan, 10 firma të mëdha biznesi të rajonit tonë bashkëpunojnë me Kosovën, tha se "jemi të gatshëm që në prefekturën e Elbasanit të lidhim marrëveshje që 20 firma të vijnë dhe të bashkëpunojnë këtu".
Më pas, ai prezantoi zhvillimin ekonomik në rajonin e Osiekut, që njihet për industrinë ushqimore, kimike dhe bujqësore. "Rajoni ynë prodhon misër, grurë, oriz dhe furnizon rreth 50 përqind të Kroacisë dhe është eksportues i industrisë së ushqimit dhe kimike", tha ai.
Ndërsa prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi u ndal te industria e rëndë dhe bujqësia, dy nga prioritete që ka qarku, si mundësi bashkëpunimi mes bizneseve të dy rajoneve. /a.ke/