Prishtinë, 6 maj, NOA - Forca shumëkombëshe e NATO-s në Kosovë mbështet të gjitha përpjekjet për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit. Kështu u shpreh gjatë vizitës që zhvilloi në Prishtinë, komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të Komandës në Napoli, admirali Mark Ficxherald.
Gjatë takimit që ai zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler, u shpreh se luftimi i krimit dhe korrupsionit është përgjegjësi e EULEX-it dhe policisë së Kosovës, por nëse kërkohet ndihma e KFOR-it, kjo ndihmë nuk do të mungojë.
“Ne e mbështesim sundimin e ligjit dhe se ne jemi këtu që të ndihmojmë si forca e tretë reaguese për ruajtjen e sigurisë sa herë që na kërkohet”, tha admirali Ficxherald.
Duke shtuar se luftimi korrupsionit është i rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Markus Bentler tha se autoritetet në Kosovë dhe ato në Maqedoni kanë arritur të bashkëpunojnë dhe ndajnë informacione që quan deri te qetësimi i shpejtë i situatës.
“Mendoj se është dërguar një mesazh i qartë se ne jemi këtu dhe vazhdojmë punën tonë, por edhe institucionet e Kosovës po i shtojnë kapacitetet dhe kjo dëshmon edhe me shpejtësinë e reagimit”, tha Bentler. n.e/NOA