Tiranë, 6 maj, NOA – “Liberalizimi i vizave për shqiptarët është një akt i merituar dhe nuk vjen si dhuratë”, - deklaroi sot Presidenti i Dhomës së deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini, gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Konkretisht, Fini tha tha se falë progresit, reformave dhe plotësimit të detyrimeve, liberalizimi i vizave për Shqipërinë pritet të bëhet brenda vjeshtës si një vendim krejtësisht i merituar.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që personalitetet e politikës italiane po i japin Shqipërisë për heqjen e vizave dhe integrimin në BE, shprehu mirënjohjen për lobimin që personalisht Fini po bën edhe me krerë të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së për heqjen e vizave.
“Shqipëria, - tha ajo, - i ka plotësuar tashmë të gjitha detyrimet teknike dhe kjo është shprehur edhe nga përfaqësues të Komisionit Europian. Kemi punuar intensivisht në parlament për të gjitha ligjet që janë detyrime për liberalizimin e vizave dhe do kisha dashur që edhe opozita të ishte pjesë e këtyre proceseve”.
Ndërsa në lidhje me krizën politike në vend, Topalli u shpreh se “i ka ftuar dhe vijon t’i ftojë deputetët e opozitës të zënë vendet e tyre në parlament duke shprehur të gjithë
gatishmërinë dhe vullnetin për çdo kërkesë bazuar në Kushtetutë e ligj, për transparencën e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur”.
n.e/NOA