English

Gazeta "Albania" E Konicës Vjen Në Një Botim Origjinal

TIRANË, 6 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Një dritare diturie dhe njohjeje për Shqipërinë e viteve 1897-1909 për të huajt dhe shqiptarët e publicistit dhe shkrimtarit Faik Konica, botimi origjinal i revistës "Albania", u promovua sot në mjediset e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. "Albania është një revistat më serioze dhe më më vlerë që janë botuar, madje një nga botimet e vetme të pakta të viteve 1897", thotë për ATSH-në, studiuesi Halim Maloku, që me një punë të madhe arriti të përmbledhë të gjitha materialet e revistës 'Albania', i mbeshtetur nga mbesa e publicistit të njohur, Alma Konica. Maloku thotë se "revista "Albania" fillimet i ka në mars të 1897, por vlera e ribotimit qëndron tek fakti se ajo vjen si një enciklopedi e plotë e historisë, kulturës, politikës dhe gjithë sferave të asaj periudhe". Ai tregon se i është dashur një vit punë për vëllimin e parë, që përshpjeton bazat e botimeve të tjera, pasi do të botojë edhe 11 vëllimet e tjera të revistës "Albania". Studjuesi Halim Maloku duke cilësuar si një punë jo të lehtë mbledhjen e materialeve, thotë për ATSH-në, se " ishte një punë e vështirë jo vetëm për burimet, por edhe për saktësinë, pasi kërkonte saktësi absolute. Botime të Konicës janë botuar edhe më pare, por ato janë ndryshuar, ndërsa ne japim materialin origjinal të botimeve të tij, pa ndërhyrë në asnjë gërmë, madje edhe shtypi është i vitit 1897". Për këtë punë voluminoze, Maloku shton se i është dashur të punojë nëpër Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Shkodrës, të Brukselit, Londrës etj. Studiuesi Halim Maloku shton se "Faik Konica përdori në mënyrë të vecantë gjuhën frënge, sepse revista "Albania" ishte e vetmja dritare ku europianët mund të mësonin mbi Shqipërinë". Zv/Ministrja e MTKRS, Suzana Turku e pranishme në këtë promovim cmoi veprën shumëdimensionale që përfaqëson si prozator, poet, publicist, kritik letrar dhe përkthyes Faik Konicën, duke e radhitur një ndër personalitetet më të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Duke folur për revistën 'Albania' ajo vlerësoi se, "kjo revistë, një organ periodik politiko-kulturore dhe letrar u bë zëri më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë kombëtare, ku u botuan vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm, etj". Sipas saj, "vendin kryesor në krijimtarinë e Konicës e zë publiçistika, pasi ai sot njihet dhe vlerësohet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publiçistikës shqiptare. Për gjysëm shekulli, shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. Publicistika e Konicës përqendrohej në problemet e çështjes kombëtare, por ai i kushtoi vëmendje të posaçme ndërgjegjësimit të faktorit ndërkombëtar për vlerat dhe historinë e popullit shqiptar". Turku theksoi se, "Faik Konica së bashku me Fan Nolin konsiderohen nga studjues të ndryshëm si bashkëthemelues të kritikës sonë letrare. Penës i së tij i takojnë shkrimet "Arti i të shkruarit", "Ca këshilla për artin e shkrimit", "Kohëtore letrare shqipe" etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare". Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi e cilësoi Faik Konicën, "pjesë e një plejadë të intelektualësh të mëdhenj që kontribuan në konsolidimin e shtetit shqiptar". "Promovimi i kësaj reviste është event shumë i rëndësishëm dhe rast i jashtëzakoshëm që shqiptarët të njihen me një mendje të madhe, të cilën kemi nevojë sot njëlloj siç kishim edhe para 100 vjetesh", tha Xhufi. Ai propozoi rritjen e tirazhit të kësaj reviste. "Kjo revistë është një përmbledhje e letrave shqipe që duhet ta kenë të gjitha institucionet, ambasadatat, pasi është një katalizator, që duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët, kudo ku janë", tha Xhufi. I cilësuar si një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare, Faik Konica njihet si prozator, poet, publiçist, estetist, kritik letrar dhe përkthyes, që me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Si njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Faik Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. Faik Konica lindi në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale ku mori dhe mësimet e para në gjuhën turke, arabe dhe greke. Ndoqi studimet e liceut perandorak francez të Stambollit dhe shkoi në shkollë të mesme në Francë. Më pas ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris dhe në 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën e veprën e tij me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi botoi broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris, u vendos në Bruksel (Belgjikë), ku nxorri "Albania", një revistë politiko-kulturore dhe letrare, që u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes shqiptare. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, "Albania" propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Pasi mbylli në 1909 këtë revistë, Faik Konica shkoi në Londër dhe më pas, i ftuar nga atdhetarët, në SHBA. ku drejtoi gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra" më 1912, Konica u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Së bashku me Fan Nolin, si udhëheqës kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, shkuan në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Ndërsa në Kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë, Faik Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra". Ndërkohë, në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri përmes gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik dhe ardhjen e Zogut në fuqi, Faik Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942. Veprat e tij: L'Albanie et les Turces - Libre parole, (1895), Paris Albania - revistë, 1897-1909, Bruksel - Londër Memoire sur le mouvement national albanais, (1899), Bruksel Albania e vogël - fletore 1899 - 1901, Bruksel Trumbeta e Krujës - e përkohshme (1911), Sent Luis Jeta e Skënderbeut, (1912) L'Alemagne et'Albanie, (1915), Lozanë Një ambasadë e Zulluve në Paris, (1922) Shqipëria si m'u duk, (1928), Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit - novelë satirike (1924) Nën hijen e hurmave - përkthim e rikrijim i një zgjedhjeje të përrallave arabe nga Një mijë e një net, (1924) , etj./n.m/
KOMENTE