English

Gjirokaster: Policia E Shtetit Nuk Do Te Toleroje Kultivimin E Bimeve Narkotike Ne Komunen E Lazaratit

GJIROKASTËR, 6 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/. - Policia e Shtetit nuk do të tolerojë qe në territorin e Lazaratit të kultivohet me lëndë narkotike, tha sot zv/ministri i Brendshëm për çështjet e rendit dhe sigurisë, Avenir Peka, gjatë një takimi të përbashkët, organizuar në qendër të fshatit Lazarat. Peka i kërkoi policisë së Gjirokastrës në nisi menjëherë krehjen e zonës dhe në rast konstatimi ligjit të veprojë. "Prej disa ditësh ka nisur faza e dytë e zbatimit të Planit të Veprimit dhe komuna e Lazaratit nuk bën përjashtim", tha Peka. Dashnor Aliko, kryetar i komunës së Lazaratit theksoi se lazaratasit do t'i japin mbështetjen e duhur Policisë së Shtetit. "Të gjithë së bashku të kontribuojmë që Lazarati të kontrollohet nga Policia e Shtetit, siç ka filluar të patrullojë tashmë në çdo rrugicë të fshatit, që të parandalojmë çdo banor që tenton të kultivojë bimë narkotike", tha Aliko. Mimoza Çomo, prefekte e qarkut të Gjirokastrës, tha se qeveria është e vendosur që Lazaratin ta heqë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike. Komuna e Lazaratit shtrihet në malin e Gjerë, rreth 3 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, ka një sipërfaqe prej 41 mijë hektarë, 700 familje me 5200 banorë. /a.ke/
KOMENTE